22.5 C
Tirana
03 / 05 / 2026

“Siguri energjetike”, Rama njofton nga Berlini marrëveshjen me SHBA për gazin e lëngshëm

Nga Berlini ku ndodhet për të çelur ekspozitën e tij të re, kryeministri Edi Rama njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror për 20 vitet e ardhshme.

Projekti përfshin transformimin e TEC-it të Vlorës nga naftë në gaz, duke rritur prodhimin e energjisë dhe sigurinë energjetike të vendit.

“Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo nismë do të sjellë investime të reja dhe do të rrisë kapacitetet për sektorë si qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale.

“Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme”, theksoi kryeministri.

Rama theksoi se Vlora do të bëhet një nyje e rëndësishme për shpërndarjen dhe eksportin e gazit përmes lidhjes me gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline.

“Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes Tap-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x