Të nderuar përfaqësues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK),
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të drejtësisë,
Me anë të këtij email-i, dëshirojmë të shprehim shqetësimin e thellë dhe indinjatën tonë për vrasjen ende të pazbardhur të familjarit tonë, gjyqtarit Skerdilajd Konomi, një akt kriminal që përfaqëson jo vetëm një goditje të rëndë ndaj një individi, por edhe ndaj vetë sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Më 9 Shtator 2011, Skerdilajd Konomi, gjyqtar i njohur dhe i respektuar në qytetin e Vlorës, u vra barbarisht në një atentat mafioz me shpërthim të telekomanduar, ndërsa ndodhej në makinën e tij në rrugët e qytetit duke shkuar për në punë. Atentati ishte i planifikuar me profesionalizëm kriminal, ndërsa heshtja që e pasoi nga strukturat shtetërore ka qenë po aq tronditëse dhe e pashpjegueshme. Skerdilajdi nuk ishte i përfshirë në asnjë çështje korruptive. Ai u vra sepse kishte guximin të kërkonte të drejtën e tij, pronat e trashëguara familjare, të cilat i fitoi përmes një procesi të rregullt gjyqësor.
Sot, pas 14 vitesh pritjeje, frike dhe heshtjeje, ne si familjarë kemi vetëm një pyetje për ju:
A do të guxojë ndonjëherë drejtësia shqiptare të përballet me të vërtetën, sado e hidhur apo e rrezikshme të jetë ajo?
Institucioni i SPAK-ut është ngritur me qëllimin për të hetuar pikërisht raste të tilla ku krimi, korrupsioni, përfitimi i padrejtë dhe ndikimi mbi drejtësinë kanë bashkëjetuar në dëm të qytetarëve dhe të shoqërisë. Nëse SPAK nuk merret me çështje si kjo, atëherë përse ekziston?
Kërkojmë nga SPAK, si institucioni kryesor në luftën kundër krimit të organizuar, që ta rikthejë këtë dosje në prioritetet e tij. Po ashtu, u bëjmë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit, KLP dhe KLGJ që të bashkëpunojnë ngushtë për të garantuar një hetim të thelluar, të pavarur dhe të gjithanshëm duke marrë në konsideratë edhe kërkesat tona;
Rihapjen e menjëhershme dhe aktive të hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Konomi;
Transparencë publike mbi hapat e ndërmarra dhe arsyet përse kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur për kaq gjatë;
Përfshirjen e ekspertizës ndërkombëtare, nëse është e nevojshme, për të garantuar një hetim të paanshëm;
Sigurimin e mbrojtjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, që veprojnë me ndershmëri në përballje me krimin dhe korrupsionin.
Nuk mund të pretendojmë ndërtimin e një drejtësie të re, nëse krimet ndaj vetë përfaqësuesve të saj mbeten të pazbardhura. E drejta për drejtësi nuk është privilegj, por themel i çdo shoqërie demokratike. Kujtimi i Skerdilajd Konomit nuk mund të mbetet thjesht një përvjetor i radhës. Duhet të jetë një motivim për të treguar se shteti ligjor nuk dorëzohet përballë krimit.
Me respekt dhe përkushtim për të vërtetën dhe drejtësinë,
Familja Konomi
- Gjenerata e re e Policisë, ministrja Koçiu: Ju mbani një uniformë të rëndë… - 13/10/2025
- Manastirliu me banorët e Tiranës: Më shumë hapësira publike për fëmijët e të moshuarit! - 13/10/2025
- Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, Macron konfirmon mbështetjen për një shtet të pavarur palestinez - 13/10/2025