8.5 C
Tirana
16 / 02 / 2026

Ylli Manjani: Pyetjet që lindin për nismën ligjore antipezullim të PS

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka ngritur pikëpyetje mbi nismën për saktësimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke paralajmëruar se ndalimi i pezullimit nga detyra mund të çojë në një zgjerim të tërthortë të imunitetit përtej anëtarëve të qeverisë dhe Presidentit.

Manjani pyet përse mbrojtja duhet të kufizohet në disa institucione dhe jo në të tjera, duke përmendur edhe rolin kyç të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në periudhë zgjedhore. Ai ngre shqetësimin se ndalimi i pezullimit mund të shtyjë drejtësinë drejt përdorimit të arrestit si alternativë më të ashpër.

Megjithëse e konsideron të domosdoshme ndërhyrjen ligjore, Manjani kërkon që ajo të mos jetë e nxituar dhe të shoqërohet me një rishikim më të gjerë të Kodit, për të shmangur pasoja të papritura.

Postimi i plotë i Manjanit:

Pyetjet që lindin për nismën ligjore antipezullim të PS janë:

1. Përse duhet të shtrihet mbrojtja ligjore përtej anëtarëve të qeverisë dhe Presidentit të Republikës ndalimi i Pezullimit?! A po e zgjerojmë disi konceptin e imunitetit edhe ndaj zyrtarëve dhe funksioneve jo politike?!

2. Pse janë 7 dhe jo më shumë ose më pak?! Përse jo të gjitha institucionet Kushtetuese?!

3. Po institucionet monokratike që nuk i përmend Kushtetuta, por që janë po aq të rëndësishme, fjala vjen kryetari i KQZ, si do trajtohen?!  

Dëmi që sjell ndalimi i ushtrimit të detyrës të KQZ në periudhë zgjedhore është shumë më i madh sesa pezullimi i të gjithë institucioneve Kushtetuese të marra së bashku… 

4. Mos ndoshta duke ndaluar përdorimin e pezullimit vendimmarrja politike po nxit drejtësinë të përdorë arrestin?! Tani, jemi pro apo kundër praktikës së arrestit?!

***

Mendoj se nisma për saktësimin e nenit 242 për Ministrat dhe Presidentit është e domosdoshme në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk i dha drejtim. 

Padyshim duhet kjo nismë. E mira e do që të ishte bashkë me ndryshime të tjera të rëndësishme që Kodi i Proçedurës i kërkon. Sidoqoftë edhe ashtu e veçuar, është domosdoshmëri. 

Vetëm se pyetjet e mësipërme meritojnë vemendje… 

Nuk mundet që një sulmi të nxituar ti përgjigjesh me ndërhyrje të nxituara, sepse bën të njëjtin gabim si “sulmuesi”…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x