24.5 C
Tirana
03 / 10 / 2024

Xhaçka: Procesi i integrimit evropian ka hyrë në një etapë të re

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë ka hyrë në një etapë të re me fillimin e negociatave.

Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPAIII)”, Xhaçka u shpreh se, “miratimi nga Kuvendi i rregullave të reja të asistencës financiare të BE-së, nëpërmjet instrumentit të para-aderimit IPAIII vjen në një moment ku procesi ynë i integrimit evropian ka hyrë në një etapë të re me fillimin e negociatave për anëtarësim, ku procesi sigurisht që bëhet më kërkues përsa i përket ritmit të arritjes së standardeve që vendos legjislacioni i BE”.

Xhaçka theksoi se, “kjo përfshin jo vetëm përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e tij nëpërmjet kapaciteteve të duhura administrative, por edhe investimeve që kërkon zbatimi i këtyre standardeve evropiane”.

Prandaj, shtoi Xhaçka, “në këtë moment është jetike që të kemi një përdorim më efikas të asistencës financiare të BE-së për të mbështetur zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike që kërkohen për të qenë në linjë me vlerat e BE-së dhe për të përafruar gradualisht rregullat, standardet, politika dhe praktikat e BE-së me qëllimi anëtarësimin në BE”.

“Pikërisht kësaj rritjeje të efektivitetit në përdorimin e fondeve të BE-së, i shërbejnë dhe këto rregulla të reja të menaxhimit të IPA-s për periudhën deri në vitin 2027 që miratojmë sot. Programet IPA në këtë periudhë të re do të financohen dhe do të zbatohen brenda kuadrit ligjor, administrativ dhe teknik të parashikuara në këtë marrëveshje financiare kuadër”, tha Xhaçka.

“Përparësi i jepet dhënies së asistencës financiare me bazë sektoriale që të sigurohet përqasje më afatgjatë, më koherente dhe më e qëndrueshme që të rritet pronësia, që të lehtësohet bashkëpunimi ndërmjet donatorëve, të eliminohet dublimi i përpjekjeve dhe të rritet efektiviteti”, theksoi Xhaçka.

“Projektet e viteve 2017 dhe në vijim janë ende në zbatim për disa vite. pra niveli i disbursimit do të rritet në vitet në vijim dhe nuk janë të vërteta ato që u paraqitën këtu nga një deputete e opozitës. Një tabelë që në fakt është një tabelë e përcjellë nga vetë agjencia dhe që nuk është dëshmi e mungesës së transparencës, por është dëshmi e të kundërtës, e transparencës me menaxhimin e këtyre financimeve. Dhe është tregues që institucionet tona shqiptare, edhe ajo tabelë që u paraqit këtu, ato të cilat do të jenë drejtpërdrejt të angazhuara me menaxhimin e këtyre fondeve do të jenë të akredituara si CFCU-ja si AZHBR-ja”, përfundoi ajo.

/atsh

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x