Bajram Begaj, dhe homologu i tij italian, Sergio Mattarella, kanë pritur së bashku në Pallatin Quirinale kryetarët e të gjitha komunave arbëreshe në Itali.
Gjatë takimit, Begaj vlerësoi lidhjet historike dhe vëllazërore mes dy popujve, duke e cilësuar komunitetin arbëresh si dëshmi të gjallë të miqësisë shqiptaro-italiane.
“Miqësitë mes shteteve mund të ndërtohen nga interesat e përbashkëta, ndërsa vëllazëria lind nga historia, nga kujtesa, lind nga lidhjet njerëzore. Ju, të dashur arbëreshë, jeni themeli i kësaj vëllazërie”, u shpreh kreu i shtetit, duke theksuar se arbëreshët kanë ruajtur për më shumë se pesë shekuj gjuhën, traditat dhe identitetin shqiptar.
Begaj falënderoi Presidentin Mattarella për organizimin e këtij takimi, ndërsa e cilësoi Italinë një aleate të besueshme, partnere strategjike dhe mbështetëse të rëndësishme të integrimit evropian të Shqipërisë.
“Takimi ynë i sotëm është shumë më tepër sesa një ngjarje protokollare; është dëshmi e gjallë e miqësisë së veçantë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, një miqësi që i ka rrënjët e thella historike, por që mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese në kohë moderne”, theksoi kreu i shtetit shqiptar.
Në fjalën e tij, Presidenti vlerësoi gjithashtu modelin e integrimit të arbëreshëve dhe shqiptarëve në shoqërinë italiane, duke nënvizuar se ruajtja e identitetit kombëtar dhe integrimi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por pasurojnë shoqëritë dhe forcojnë mirëkuptimin mes popujve.
Begaj theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë mbështeten jo vetëm në bashkëpunimin politik dhe strategjik, por edhe në lidhjet njerëzore e historike, ndërsa shprehu bindjen për vazhdimin e rrugëtimit të përbashkët evropian të dy vendeve.
- “Kemi policë me kafkë të çarë e këmbë të thyer!”- Kapri akuza për autobotet e dronët në protestë, Hita: Zero lekë nga buxheti, janë në përdorim! - 09/11/2026
- Begaj dhe Mattarella presin kryetarët e komunave arbëreshe në Quirinale: Arbëreshët, themeli i vëllazërisë shqiptaro-italiane - 09/11/2026
- “Prisni se nuk ka mbaruar”- Zgjedhja e kreut të PD në Korçë, Spaho: Kjo është çorba e përgatitur nga Flamur Noka dhe Berisha, ç’të mbjellësh… - 09/11/2026