Partia Socialiste e Tiranës ka përkujtuar sot 35-vjetorin e themelimit të saj me një aktivitet të organizuar në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë qindra socialistë, funksionarë dhe ish-funksionarë të lartë të kësaj force politike.
Në aktivitetin përkujtimor u prezantua një retrospektivë e historisë së Partisë Socialiste në kryeqytet, duke sjellë në vëmendje momentet kryesore të rrugëtimit të saj politik, nga periudha kur partia drejtohej nga Fatos Nano e deri në ditët e sotme.
Përmes materialeve filmike dhe pamjeve arkivore u pasqyrua evolucioni politik i forcës më të madhe të majtë në vend, si dhe transformimet e Tiranës ndër vite.
Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua ndryshimeve që ka përjetuar kryeqyteti gjatë dy dekadave të fundit, duke vënë në kontrast Tiranën para vitit 2001 me zhvillimet e mëvonshme.
Sipas materialit të shfaqur gjatë aktivitetit, Tirana e viteve para vitit 2001 karakterizohej nga mungesa e infrastrukturës, hapësirave publike dhe nga problematika të shumta urbane.
Ndërkohë, në pamjet e prezantuara u evidentuan investimet dhe transformimet e realizuara gjatë periudhës kur Edi Rama drejtoi Bashkinë e Tiranës, si dhe zhvillimet e mëvonshme nën administrimin e Erion Veliajt.
Në aktivitet u theksua gjithashtu rrugëtimi i Partisë Socialiste në drejtimin e vendit dhe objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, që u cilësua si një nga sfidat kryesore të viteve të ardhshme.
35-vjetori i themelimit të degës së PS-së në Tiranë u shënua në kuadër të aktiviteteve që socialistët kanë organizuar gjatë këtij viti për të kujtuar historinë dhe kontributin e kësaj force politike në jetën publike të vendit.
- Socialistët mblidhen në Pallatin e Kongreseve për të festuar 35-vjetorin e themelimit - 02/06/2026
- “Në protestë kishte edhe socialistë që ndihen të përjashtuar”, Braçe: Nuk kemi luksin të humbasim një projekt si ai i Zvërnecit - 02/06/2026
- Qëndrimi jopolitik i pushtetit ndaj Zvërnecit dhe protestave - 02/06/2026