Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi të hënën përpjekjet e përbashkëta nga Kina dhe ShBA-ja për të arritur një bashkëjetesë paqësore ndërmjet të dy vendeve.
Në takimin që pati me përfaqësues të Komisionit Kombëtar për Marrëdhëniet ShBA-Kinë, të Këshillit të Biznesit ShBA-Kinë dhe të Dhomës së Tregtisë të ShBA-së në Nju-Jork, ku ndodhet për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Wang Yi i inkurajoi këto organizata të ndihmojnë në promovimin e “bashkëjetesës paqësore” ndërmjet të dy vendeve.
Gjatë takimit, Wang Yi theksoi premtimet e bëra nga Kina për thellimin e reformës dhe zgjerimin e hapjes.
Bizneset amerikane janë të mirëpritura, tha kryediplomati kinez, duke shtuar se Kina do të vazhdojë të ofrojë një mjedis tregtar të orientuar nga tregu dhe të mbështetur në ndërkombëtarizimin dhe ligjet.
Wang Yi ritheksoi rëndësinë e ruajtjes së bazës politike të marrëdhënieve kino-amerikane, veçanërisht të parimit të “Një Kine”. Gjatë një takimi në Nju-Jork me ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger, kryediplomati kinez theksoi se aspirata më e madhe e palës kineze është të arrihet ribashkimi paqësor i vendit dhe ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për këtë.
“Megjithatë, duhet parë se, sa më të shfrenuara bëhen forcat e ‘pavarësisë së Tajvanit’, aq më shumë zvogëlohet mundësia e zgjidhjes paqësore të çështjes së Tajvanit,” paralajmëroi Wang.
Henry Kissinger mori pjesë në hartimin e Komunikatës së Shangait ndërmjet Kinës e ShBA-së 50 vjet më parë. Ai tha se Uashingtoni e Pekini duhet të synojnë dialogun e jo kundërvënien dhe duhet të ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe të bashkëjetesës paqësore.
- VIDEO/ E pazakontë në Kinë, burri futet me ekskavator në kompleksin qeveritar dhe shkatërron ndërtesat - 09/11/2026
- “PD është në kaos dhe pa strategji” / Leka: Berisha s’mund të kërkojë zgjedhje të parakohshme, ja çfarë e pret opozitën - 09/11/2026
- Pranoi tradhtinë ndaj gruas, CEO i Nvidia mund të përballet me një divorc prej 81 miliardë dollarësh - 09/11/2026