Presidenti Aleksandar Vuçiç vendosi si kusht për BE-në për të patur një takim me Kurtin në Bruksel në të ardhmen e afërt krijimin nga pala kosovare të bashkësisë së komunave serbe.
Kjo bashëesi, sipas Presidentit serb, duhet të krijohet në përputhje të plotë me katër marrëveshjet tashmë të nënshkruara në Bruksel.
Lidhur me deklaratën e kryetarit të Parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca, se formimi i bashkësisë së komunave serbe është i pamundur, Vuçiç vlerësoi se Konjufca ka thënë vetëm atë që mendojnë të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Prishtinë.
“Borrell mund të më telefonojë që të shkoj atje si turist por kjo nuk më intereson sepse kam qenë në Bruksel mbi 200 herë. Nëse më njoftojnë se ata në Prishtinë e kanë themeluar bashkësinë e komunave, do shkoj të flas në Bruksel për çdo gjë tjetër që Serbia të mos konsiderohej fajtore për gjithçka. Mos prisni që unë të pranoj ndryshimin e qasjes për marreveshjet për të cilat tashmë është rënë dakord”.
Presidenti serb tha se u takon përkrahësve të Pavarësisë së Kosovës që të reagojnë ndaj Albin Kurtit i cili nuk ka pranuar të zbatojë asnjë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.
I pyetur nga gazetarët që të komentojë faktin se Albin Kurti ka deklaruar se janë 11 kryetarë komunash në Serbinë qëndrore që nuk janë të kombësisë serbe dhe se Beogradi nuk u jep atyre të drejtën e funksionimit si shoqata kombëtare, Vuçiç tha se kjo është marrëzi dhe pafytyrësi.