Koment mbi një fakt
Nga Luan Rama
Morti e gjama shkojnë bashkë. Ditët e mortit kanë ritualin e tyre e deri sa të ndahet morti, komunikimi me ata që presin në mort ka kodet e veta.
Në shtëpinë në mort shkohet vetëm për ngushëllim. Nuk shkohet për asgjë tjetër.
Mirëpo, për fat të keq, prej padijes më shumë ndoshta, ndodh që ndërhyjmë atje ku nuk na takon, duke harruar se gjindja në mort duhet respektuar në dhimbjen e vet.
Familja e Martin Canit prej Martaneshi ka hap dyert e mortit siç e do zakoni në kësi raste, e askush nuk mund ta përdorë dhimbjen e as mirësinë e fisme të tyre, për tjetër gjë.
Të fusësh kamerat apo mikrofonin e gazetarit mes dhimbjes së tyre, është shkelje e kodeve të mortit më së pari. Mandej padyshim, është edhe shkelje e etikës profesionale. Është sjellje që bie ndesh me parimet e deontologjisë së profesionit.
Nuk dua të ndalem e as të merrem me kulturën e komunikimit, me fjalët që zgjedh gazetari për të ndërtuar fjalinë kur ju drejtohet dy prindërve në gjamë apo me komentet ku mungon ndjesia e respektit për ata që kanë humbur djalin katërmbëdhjetëvjeçar. Çfarë dua të veçoj ka të bëjë me skrupujt etikë e qytetarë, që rëndom i shkelim me këmbë për motive apo arsye krej banale.
Nxjerrja e prindërve të Martinit në ekran në gjendjen e rënduar që ata janë prej dhimbjes në të cilën gjenden, është cinizëm i shëmtuar që nuk ka të bëjë me raportimin e gazetarit.
Ata nuk refuzojnë sepse nuk përzihet tjetri kur të vjen në derë. Por “tjetri” nuk mund ta keqpërdorë lirinë për të hyrë në dhimbjen e tyre.
Kjo nuk është gazetari!