17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Vrasësi i 2 kunatave dhe personi i fundit që u takua me Renin e Elbasanit, kush është Indrit Shaqja

Indrit Shaqja është një prej të dënuarve që mbeti i plagosur këtë të premte në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Nga kjo përplasje mbeti i vrarë Arben Lleshi, i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga Sokol Mjacaj. Arma dyshohet se u fut në ambientet e burgut me dron. Dy të burgosur të tjerë mbetën të plagosur, një prej tyre pikërisht Indrit Shaqja.

Të gjithë emrat më lart janë të dënuar me burgim të përjetshëm.

Indrit Shaqja është dënuar për vrasjen e dy kunatave Elsa dhe Gjinovefa Vava, përkatësisht 75 dhe 70 vjeçe. Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 Shtator të 2014-s në shtëpinë e viktimave në Durrës. Nipi i njërës prej viktima, Artur Kaçanolli, besonte se të moshuarat kishin para dhe flori në shtëpi, ndaj organizoi një grabitje në të cilën morën pjesë edhe dy miqtë e tij: Velson Elmazi dhe Indrit Shaqja. Ata hynë me forcë të shtëpi e pasi nuk arritën të gjenin aq shumë para sa mendonin, dhunuan për vdekje të dyja gratë. Dy prej autorëve u arrestuan 15 ditë pas krimit, ndërsa Indrit Shaqja u arrestua një muaj më pas në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë.

Por vetëm 2 muaj më herët nga vrasja e dyfishtë, Indrit Shaqja ishte protagonist në një tjetër ngjarje. Bëhet fjalë për zhdukjen e këngëtarit të tallavasë, Renato Hamza, i njohur ndryshe si Reni i Elbasanit.

Shaqja është një nga personat e fundit me të cilët takohet Reni i Elbasanit, mbrëmjen e 29 Qershorit të vitit 2014.

Në pamjet e regjistruara në qendër të Elbasanit, këngëtari shihet teksa shtrëngon duart me Indrit Shaqen, më pas, bashkë me Deniz Xhijën largohen të tre së bashku në këmbë. Sipas dëshmitarëve, më pas Reni është parë të futet me forcë në një makinë. Që prej këtij momenti nuk pati më asnjë gjurmë nga Reni i Elbasanit.

Po në emisionin Uniko, nëna e këngëtarit mes lotësh kërkonte nga Shaqja që të tregonte të vërtetën për fatin e djalit të saj.

Sokol Mjacaj
Sokol Mjacaj

Vrasja e kësaj të premteje në burgun e Peqinit dyshohet të jetë e organizuar. Dyshimet paraprake janë se Sokol Mjacaj është paguar për të kryer vrasjen e Arben Lleshit. Ndërsa Shaqja dyshohet të jetë plagosur aksidentalisht. Ai mësohet se ka mbetur i plagosur në këmbë.

Kujtojmë që Mjacaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Korrik të 2015-s.

Arben Lleshi
Arben Lleshi

Ndërsa Arben Lleshi në 2012-n vrau bashkëkombësin e tij në Britani dhe u dënua me burgim të përjetshëm në këtë shtet.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x