Deputetja e opozitës, Albana Vokshi, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), e cilësuar Shqipërinë si një “strehë të sigurt për krimin e organizuar” dhe një burim të pasigurisë që rrezikon gjithë kontinentin.
Në fjalën e saj, Vokshi iu referua drejtpërdrejt raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri, duke theksuar se vendi është i goditur nga korrupsioni sistemik dhe një fluks masiv fondesh të paligjshme, kryesisht nga trafiku i drogës.
Vokshi solli në vëmendje fenomenin e ndërtimeve të reja luksoze në qytetet kryesore, si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Himara. Ajo theksoi se këto resorte dhe kulla shërbejnë si mekanizëm thelbësor për pastrimin e parave të pista.
“Mbi 40 mijë apartamente janë bosh. Çmimet nga 3 mijë deri në 10 mijë euro për metër katror tregojnë të vërtetën: këto kulla nuk janë për shqiptarët, por janë mjete për pastrimin e parave të pista,” deklaroi Vokshi para Asamblesë.
Sipas deputetes, korrupsioni në prokurime, abuzimi me kontratat PPP dhe një gjyqësor i dobët kanë shtrembëruar konkurrencën, duke penguar investimet e huaja dhe duke i lënë bizneset përballë presionit nga administrata publike dhe grupet kriminale.
Deputetja theksoi se titujt ndërkombëtarë, përfshirë raportimet nga Amerika Latine për shkatërrimin e klaneve shqiptare që trafikojnë kokainë dhe pastrojnë miliarda euro përmes ndërtimit, dëshmojnë një problem më të madh.
“Ajo që është shqetësuese është bashkëpunimi i qeverisë dhe institucioneve shtetërore me krimin e organizuar, duke e shndërruar problemin e Shqipërisë në një problem evropian e më gjerë,” u shpreh ajo.
Vokshi paralajmëroi Këshillin e Evropës se pa veprime të forta, Shqipëria rrezikon trazira sociale, përplasje të dhunshme mes klaneve, emigrim masiv dhe eksport të pasigurisë në gjithë Evropën.
Në përmbyllje të fjalës, Albana Vokshi i bëri thirrje Asamblesë Parlamentare të dërgojë një mesazh të qartë dhe të fortë drejt Tiranës.
“Korrupsioni, pastrimi i parave, mbytja e medias dhe manipulimi zgjedhor nuk do të tolerohen. Evropa nuk mund të përballojë që të ketë një strehë të sigurt për krimin e organizuar,” përfundoi deputetja, duke nxitur Asamblenë të përdorë çdo instrument për të detyruar qeverinë shqiptare të luftojë krimin dhe të mbrojë demokracinë.
- “Do të jetë historia më e madhe e të gjitha kohërave”/ Vajza e astronautit Ashley Hansen tregon emocionet e kthimit të babait në Tokë: Do t’i jap një përqafim të madh… - 11/04/2026
- Ndarja nga jeta e kongresmenit Eliot Engel, Presidenti Begaj: Mik i madh i popullit shqiptar dhe zë i fortë për ne - 11/04/2026
- Artemis II përfundon me sukses! Katër astronautët rikthehen në Tokë pas udhëtimit historik rreth Hënës - 11/04/2026