Interi mundi 3-0 Milanin në finalen e Superkupës së Italisë dhe mban sërish edhe për një vit trofeun. Fituesit e sezonit të shkuar kanë dominuar Milanin, duke marrë “hak” për dy humbjet e fundit që kuqezinjtë i kanë shkaktuar. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin kombëtar “Mbreti Fahd” në Riad të Arabisë Saudite foli vetëm për zikaltërit, me djemtë e Piolit që asnjëherë nuk dolën në lojën e tyre.
Të besuarit e Inzaghit kaluan në avantazh pas vetëm 10 minutave lojë, kur asisti i Barellas u shfrytëzua bukur nga Dimarco. Mëngjarashi i Inter nuk mund të gabonte me portën e boshatisur duke e ndalur sferën në rrjetë. Në minutën e 21, Inter “hipotekoi” fitoren me golin e dytë. Edin Dzeko me një të djathtë mposhti portierin Tatarusanu.
Në pjesën e dytë, sërish loja foli për Interin. Duhej minuta e 77 që Lautaro të shënonte një nga golat më të bukur në karrierë. Pasimi i Skriniar nga gati 60 metra nuk u ndal nga mbrojtja e Milan, me argjentinasin që goditi bukur me të jashtme dhe e dërgoi në rrjetë.
Në minutën e 84 të ndeshjesh kishte vend edhe për Kristjan Asllanin, që mori vendin e Calhanoglu. Inter del me kokën lart nga finalja e Superkupës, duke “ngjyrosur” sërish trofeun zikaltër. Trofeu i parë i sezonit shkon për Interin, me Milan që do duhet të korrigjojë shumëçka në lojë.