27.2 C
Tirana
20 / 07 / 2026

“Vasal i Ramës. Armik i Kushtetutës!”, Berisha përplaset me Peleshin. Kreu i Kuvendit i ndërpret fjalën

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, pasi ky i fundit ndryshoi rendin e ditës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi mazhorancën për bllokimin e amendamenteve të propozuara nga opozita, duke e cilësuar Peleshin si “armik të Kushtetutës” dhe “vasal të Edi Ramës”.

“Do ngelesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe të drejtave kushtetuese të deputetëve, si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë. Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve, të cilat BE, Komisioni Europian, PE, kërkon të anulohen dhe të amendohen, të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ’90, rinore, qytetare, kërkon të anulohet dhe ti i injoron sikur nuk ekzistojnë”, u shpreh Berisha.

Nga ana e tij, Peleshi reagoi duke i kërkuar ish-kryeministrit të respektojë etikën parlamentare.

“Unë s’ju drejtohem me ‘ti’, zoti Berisha. Ju lutem mos tejkaloni etikën parlamentare”, tha Peleshi, duke i ndërprerë më pas fjalën.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x