1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

U vranë nga Ahmet Zogu dhe ushtria malazeze/ Sot shpallen martirë dy klerikët e vrarë. Mesha e shenjtë në Shkodër drejtohet nga i deleguari i posaçëm i Papa Françeskut

E shtuna e 16 nëntorit, është një ditë historike për Kishën Katolike Shqiptare dhe besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe Kosovë pasi do të shpallen martirë dy klerikët, Dom Gjon Gazulli dhe At Luigj Paliq.

I pari i dënuar me varje nga Ahmet Zogu dhe i dyti, prifti nga Kosova, i vrarë nga ushtria malazeze pasi nuk pranoi të konvertohej në besimin ortodoks.

Të pranishëm në meshën e shenjtë që drejtohet nga i deleguari i Papa Françeskut, janë qindra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi,  Kroacia si dhe drejtues të lartë të politikës në Shqipëri dhe Ballkan.

Muzeu i Kujteses: Momentet e fundit të jetës së dom Gjon Gazullit

“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte.

Një françeskan me Sakramend ndej para tij At Martin Gjoka, Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.

Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.

Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.

Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!

Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.

Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ishte dita e 5 marsit 1927”.

(Nga Dom Artur Jaku)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x