Një vajzë shqiptare dhe një djalë nga Izraeli kanë gjetur dashurinë e tyre në një pistë kërcimi latin në SHBA. Klaudia Petriti dhe Ron Garber janë bashkë prej 6 vitesh në skenë dhe në jetë. Çifti i ftuar këtë pasdite në “Rudina” në Tv Klan nëpërmjet një lidhjeje Skype rrëfen se kanë filluar shumë herët të kërcejnë.
Historia e tyre ka nisur nga salla e leksioneve ku rastisi të kishin të njëjtin instruktor dhe nga partnerë në kërcim nisën shkëndijat e dashurisë. Së fundmi ata rrëmbyen edhe çmimin e parë në “New York Dance Festival” si dhe çmimin e parë në “Winter Open” në Çikago.
Klaudia Petriti: Ne jemi takuar për herë të parë në Nju Jork. Bënim pjesë në të njëjtin klub dhe kishim mësues të njëjtë. Pas disa vitesh, filluam të kërcenim bashkë.
Rudina Magjistari: Me kërcimet latine kur jeni njohur, ti kishe filluar të kërceje?
Klaudia Petriti: Po, unë fillova kur isha 11 vjeç.
Ron Garber: Unë isha 9 vjeç, isha shumë i vogël kur fillova të kërceja. Në fillim ne kërcenim së bashku dhe morëm pjesë në një konkurs së bashku, në Florida dhe aty filluam ramë në dashuri me njëri-tjetrin. Filluam të dilnim së bashku dhe unë doja të kërceja me të. Ajo kishte partner tjetër dhe m’u desh të prisja derisa erdhi rasti im dhe më pas u bëmë partnerë së bashku dhe kërcyem së bashku.