“Më 12 prill, saktësisht 23 vite pas referendumit që solli Hungarinë në BE, duam të konfirmojmë atë zgjedhje: që shtëpia e Hungarisë është Europa”, kështu këmbëngulte Péter Magyar në fund të një fushate të shënuar nga përgjimet e lidhjeve mes Budapestit dhe Kremlinit.
Mes duartrokitjeve të forta, thirrjeve dhe dritave të telefonave, turma i fali një orë vonesë. Magyar foli nga Győr, një qytet 120 km në veriperëndim të kryeqytetit, që është kthyer në një nga skenat kryesore të përplasjes së tij me kryeministrin, i cili pikërisht këtu javën e kaluar humbi qetësinë kur u kundërshtua. Në mes të nëntorit, dy rivalët kishin mbajtur tubime në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë.
Ky bastion historik i partisë Fidesz, me 130 mijë banorë dhe një fabrikë të Audi-it, ka treguar tashmë se është i hapur ndaj ndryshimit: ka zgjedhur një kryetar bashkie të ri, të pavarur. Për këtë arsye, Győr konsiderohet si një nga qytetet kyçe që mund të vendosë fundin e epokës së Orbán-it. Në shesh kishte shumë të rinj dhe familje.
18-vjeçari Ramon dhe miku i tij Kakas thonë të njëjtën gjë: prindërit tanë votonin dikur për Fidesz, tani jo më. Edhe Tibos dhe bashkëshortja e tij Bea e pranojnë ndryshimin. Magyar di si t’i motivojë: “Kemi 5 mijë vullnetarë, asnjë parti nuk ka kaq shumë”. Ai përfaqëson “të renë e vjetër” që po avancon.
Sepse njeriu që në pak muaj arriti ta kthejë Viktor Orbán-in nga i pathyeshëm në të dobët është një avokat energjik 45-vjeçar, i rritur në hijen e liderit jetëgjatë hungarez.
I shfaqur në skenën politike si një meteor dy vite më parë, Magyar dhe partia e tij Tisza, më pak se katër muaj pas debutimit, arritën të fitonin 30% në zgjedhjet europiane të vitit 2024. Një tërmet politik që nuk u ndal më. Në vitin 2025, ai e kaloi Fidesz në sondazhe dhe tani, sipas disa matjeve, avantazhi është zgjeruar deri në një super-shumicë.
Kështu, ky ish-zyrtar i panjohur për shumicën u bë makthi më i madh i Orbán-it, edhe sepse ai nuk e pa të vinte. Historia e Magyar-it është ajo e një “njeriu të brendshëm” që ndoshta nuk u integrua kurrë plotësisht. I rritur në një familje juristësh konservatorë (djali i një gjyqtareje të Gjykatës së Lartë dhe nip i një ish-kreu shteti), ai përfaqëson elitën hungareze.
Ai ndoqi një lice prestigjioz katolik gjatë mandatit të parë të Orbán-ut, kur premtohej shkëputja nga e kaluara sovjetike dhe afrimi me Europën. U anëtarësua në parti në vitin 2002, ndërsa studionte drejtësi në universitetin katolik të Budapestit, një vatër e elitës konservatore. Gjatë një programi të Erasmus në Hamburg, u bë mik me Gergely Gulyás, sot figurë kyçe në qeverinë e Orbán-it. Ishte pikërisht Gulyás që e njohu me Judit Varga-n, e cila u bë bashkëshortja e tij dhe një nga figurat kryesore të partisë Fidesz.
Çifti jetoi për vite në Bruksel, ku Magyar filloi të punonte për institucionet e BE-së pas vitit 2010, kur Orbán u rikthye në pushtet dhe nisi kthesën e tij joliberale.
Pas kthimit në Hungari në vitin 2018, ndërsa karriera e Varga-s u rrit, fillimisht si sekretare shteti e më pas si ministre e Drejtësisë, ai nuk arriti të siguronte role politike.
“Edhe pse miku i tij Gulyás e kishte vendosur në borde kompanish shtetërore, duke i siguruar prestigj dhe të ardhura, ambiciet e tij politike mbetën të parealizuara. Drejtuesit e Fidesz e konsideronin shumë të pavarur dhe pak të gatshëm për kompromis”, shpjegon Miklós Sükösd, profesor në Universitetin e Kopenhagenit.
Në ato vite, ai u bë këshilltar i imazhit për bashkëshorten, me sukses, por ndjente peshën e një roli dytësor. Ky tension çoi në fundin e martesës së tyre në vitin 2023.
“Pas divorcit, ai nisi të përjashtohej edhe nga kompanitë dhe nga Stádium Club, një klub ekskluziv i Fidesz”, shpjegon më tej Sükösd. Në atë moment, Magyar vendosi ta kthente njohjen e thellë të sistemit që kishte, si armë.
Pika e kthesës erdhi në shkurt të vitit 2024, me skandalin e faljes së një pedofili në një jetimore publike, që çoi në dorëheqjen e presidentes dhe të ministres së Drejtësisë, Judit Varga, të konsideruara si “kurbane” të sistemit.
Kjo pasoi një valë indinjate kolektive. Magyar e shfrytëzoi momentin për të hyrë në skenë me një intervistë në YouTube në kanalin Partizán: dy orë transmetim për të denoncuar korrupsionin, me 2.6 milionë shikime, rreth një e katërta e popullsisë. Një muaj më vonë themeloi partinë Tisza dhe debutoi me sukses në zgjedhjet europiane.
“Ngjitja e jashtëzakonshme e Magyar-it lidhet me kombinimin e një figure karizmatike, një publiku të gatshëm dhe një konteksti krize”, shpjegon studiuesi Rudolf Metz. “Shoqëria ishte gati për dikë si ai: një njeri që njeh sistemin nga brenda dhe vendos të rebelohet kundër tij. Retorika e tij është e fortë dhe bashkon temat e sovranitetit kombëtar me çështjet e korrupsionit dhe abuzimeve institucionale. Ai ka qenë shumë efektiv edhe në lidhjen mes botës online dhe asaj reale.”
Shkrim nga Corriere della Sera