Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka kritikuar ashpër veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, duke paralajmëruar se aleanca perëndimore ndodhet në një pozitë më të dobët se vetëm pak ditë më parë.
Sipas saj, marrëveshja e SHBA-ve për blerjen e naftës dizel nga Rusia, raportimet për një armëpushim në sektorin energjetik dhe kufizimet në shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën po krijojnë një situatë tejet shqetësuese.
“Unë mendoj se aleanca perëndimore është në një pozitë më të keqe tani sesa ishim disa ditë më parë”, deklaroi Frederiksen për mediat, përpara mbërritjes në samitin e Bashkimit Europian në Bruksel.
Deklaratat e saj vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Uashingtonit të mos mbajë anën e Rusisë dhe të tregojë sinqeritet në mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Ne kemi nevojë për SINQERITET nga partnerët tanë për këtë luftë. Është e rëndësishme që të gjithë në Amerikë të mos mbajnë anën e agresorit, por të mbështesin përpjekjet tona për të mbrojtur jetët, për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të garantuar sigurinë”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Presidenti ukrainas reagoi pasi Kievi u përball me kufizime në marrjen e informacioneve të inteligjencës nga SHBA-të, si dhe me probleme që lidhen me aksesin në rrjetin satelitor Starlink.
Frederiksen u shpreh veçanërisht kritike ndaj marrëveshjes amerikane për blerjen e naftës dizel nga Rusia.
Sipas presidentit amerikan Donald Trump, kjo marrëveshje synon të ulë çmimet e karburanteve në SHBA dhe, njëkohësisht, ta bëjë Moskën më të gatshme për të arritur një marrëveshje paqeje.
Por kryeministrja daneze mendon se një veprim i tillë mund të ketë efektin e kundërt, duke i siguruar Rusisë të ardhura për financimin e luftës.
“Që nga fillimi i luftës, ne kemi bërë gjithçka që mundemi për t’u shkëputur nga karburantet fosile ruse. Në Europë e dimë mirë se, kur blejmë produkte nga Rusia, financojmë vrasjen e europianëve. Pikërisht kjo është ajo që po ndodh në këtë luftë”, deklaroi ajo.
Sipas Frederiksen, Rusia synon të marrë nën kontroll pjesë të Europës dhe është e gatshme të shkojë shumë larg për ta arritur këtë qëllim.
“Pasojat janë katastrofike. Sulmet po ndodhin çdo ditë dhe, kur blen nga Rusia, financon makinerinë ruse të luftës”, theksoi kryeministrja daneze.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime për ndikimin e madh që ka miliarderi Elon Musk mbi rrjetin satelitor Starlink, i cili luan një rol të rëndësishëm në komunikimet dhe operacionet ushtarake të Ukrainës.
Frederiksen e cilësoi si “thellësisht problematike” faktin që një kompani private mund të ketë kaq shumë ndikim mbi aksesin e Ukrainës në informacione të rëndësishme, të cilat ndihmojnë në parandalimin e sulmeve dhe ndikojnë në zhvillimin e luftës.
“Ky është një tjetër shembull se si gjigantët e teknologjisë kanë fituar shumë pushtet dhe ndikim. Europa nuk mund t’ia dalë pa këto informacione. Prandaj, ato duhet të jenë të hapura dhe të disponueshme për ukrainasit”, u shpreh ajo.
E pyetur se përse Europa nuk ka krijuar më herët një alternativë të vetën ndaj Starlink, Frederiksen pranoi se varësia nga vendet dhe kompanitë e tjera përbën një problem të madh për kontinentin.
Sipas saj, kjo varësi nuk kufizohet vetëm te teknologjia, por shtrihet edhe te nafta, gazi, mineralet kritike dhe lëndët e para të nevojshme për industrinë dhe mbrojtjen.
“Europa duhet të nxitojë për të ndërtuar alternativa në shumë fusha, përfshirë edhe kapacitetet që na nevojiten për t’u mbrojtur. Fatkeqësisht, në këtë drejtim jemi prapa”, deklaroi kryeministrja daneze.
E pyetur nëse pajtohet me deklaratën e Zelenskyt se SHBA-të e kanë tradhtuar Ukrainën, Frederiksen shmangu përdorimin e një termi të tillë, por paralajmëroi për rreziqet që sjell dobësimi i mbështetjes ndaj Kievit.
“Nëse nuk e mbështet Ukrainën, e vendos të gjithë Europën dhe, bashkë me të, edhe të gjithë NATO-n në një situatë shumë, shumë më të rrezikshme”, tha ajo.
Ndërkohë, Zelensky pritet të marrë pjesë të premten në samitin e BE-së në Bruksel, ku vendet anëtare do të diskutojnë financimin e Ukrainës për periudhën e ardhshme.
- Mori plagë në kokë gjatë protestës, komandanti i forcave të rendit të Shkodrës në gjendje të rëndë shëndetësore, niset drejt Tiranës - 15/10/2026
- Trump blen naftë nga Rusia, ‘shpërthen’ kryeministrja daneze: Kështu financohen vrasjet në Europë! - 15/10/2026
- Irlanda: Shqipëria, progres në rrugën drejt anëtarësimit në BE - 15/10/2026