Nga Artur Zheji
Trump shpartalloi hipokrizinë e elitave majtiste amerikane, që janë të super-pasura dhe njëkohësisht lotojnë mediatikisht për të varfrit.
Trump në tanksin e tij të madh zgjedhor, bëri vend për të gjithë, në mënyrë të pastër pragmatiste.
Trump përqafoi të zhgënjyerit nga Biden dhe u dha besë e shans të ri, ish-armiqve të tij të djeshëm.
Bëri zv.president ish-akuzatorin e egër Vance dhe ish-mbështetësin e Biden, gjeniun Elon Musk me mbi 200 milion ndjekësit e tij të platformës “X”.
Musk dhe “X”, theu dhe thërrmoji CNN dhe New York Times, në komunikim publik transversal.
Trump theu në këto zgjedhje çdo lloj rregulli.
Ai nuk ju drejtua pjesës gri me fjali të ekuilibruara dhe nuk zgjodhi daltën e skulptorit apo furçën e bojaxhiut për të krijuar modelin e kandidatit të mirë dhe të gjithë-pranueshëm.
Trump e bëri fushatën me buldozer dhe i hodhi benzinë zjarrit të pakënaqësive të përditshme të amerikanit që jeton në periferinë e vëmendjes së elitave llafazane majtiste dhe centriste.
Trump miliardave të tij, i shtoi miliardat ulëritëse të gjeniut Elon Musk dhe bindi emigrantët e brezit të vjetër, që rreziku ju vjen nga emigrantët e rinj, sivëllezërit e tyre ispanikë, të varfër dhe me xhepa të shqyer, që gërryejnë tortën ekonomike të asistencës sociale.
Emigrantët e integruar, kuptuan mesazhin e Donaldit dhe votuan Trumpin!
Pasuria e Trumpit, e Elon Musk, Bezos e të tjerë të skuadrës së miliarderëve, është përtej “ëndrrës amerikane”, është e pakapshme në kohë dhe hapësirë!
Ndërsa ëndrra amerikane e vëllezërve të tyre të uritur, që sulmojnë me miliona kufijtë me Meksikën, mund të shkatërrojë ëndrrën amerikane të emigrantëve të punësuar, nga e cila kanë përfituar dhe jetojnë më mirë. Dhe kështu votuan për Trumpin dhe kundër vëllezërve të dëshpëruar dhe konkurrentë, që duan të copëtojnë portofolin e asistencës shtetërore.
Sepse Trump nuk i gënjeu: thjesht u tha më votoni mua, që të mos copëtohet më tej torta e ndihmës sociale me miliona emigrantë të tjerë! Dhe ata, me miliona votuan për copën e tortës së tyre…
Trump nuk e maskon mbështetjen e tij për Izraelin me fjalë humaniste për viktimat palestineze, por thotë hapur: “Ta lemë Netanyahun të mbarojë punën e filluar!”, sepse gjithsesi të gjithë e dinë që pa miliardat amerikane në armë dhe predha, Izraeli nuk e përballon dot një luftë të vërtetë në Lindjen e Mesme.
Dhe këto armë, ndërmjet një metafore humaniste dhe një këshillë për vetëpërmbajtjeje ndaj Netanyahut, i dërgonte edhe Biden me shumicë dhe do ti dërgojë edhe Trump.
Por Trump premton se do vendosë Paqen edhe aty, sigurisht duke shpartalluar Hamasin dhe Hezbollahun, ashtu si edhe në Ukrainë , edhe arabët në Miçigan, parapëlqyen “For President”, të “sinqertin” punëmbaruar dhe të ashpër republikan.
A mund të manipulohet Trump nga ne ballkanasit?
Besoj se po.
Puna për të tërhequr kërrabën e vëmendjes nga vetja, ka filluar më shumë se një vit më parë.
Në nivele biznesmenësh dhe politikanësh shqiptarë të kamur.
Por edhe kandidatët amerikanë për poste kyçe, e ndjejnë që larg erën e athët të viktimave ballkanike që afrohen me cash dhe llogari bankare of shore.
Mund t’ju marrin paratë dhe më pas t’ju kthejnë shpinën.
Po ky do të ishte një shkrim tjetër…