Nga Molly Jong-Fast, The New York Times
Fundjavën para ditës së zgjedhjeve të mesmandatit hapa Instagramin dhe pashë një imazh kaq tronditës, sa që në fillim mendova se ishte gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. Marta Stjuart ishte veshur si një grua e varfër për Halloween. Kishte veshur xhinse të grisura dhe një xhaketë të vjetër e të rrjepur dhe kishte lyer fytyrën me diçka që dukej si baltë. Në duar mbante një karton ku shkruhej, “KAM URI, MË NDIHMO!” ndërsa bënte mimikën e një njeriu të mërzitur. Shënimi poshtë fotos e drejtontë audiencën tek koleksioni i saj i ri qirinjve.
Kostumi i Halloween-it i Zonjës Stjuart është ajo çka kemi parë nga të pasurit qyshkur Presidenti Trump u zgjodh për herë të dytë. Shumica e votuesve të zakonshëm zgjodhën Z. Trump në vitin 2024 për shkak të kostove të larta të ushqimeve. Por të pasurit u ndjenë të fuqizuar nga fitorja e tij për të dytë, sikur bashkë me të, populli të kishte zgjedhur edhe ata.
Dhe kështu kanë kaluar dy vite ku të pasurit kanë marrë tiparet e perandorëve romakë – të papërmbajtur, pa u ndier në faj dhe shpesh, duke kritikuar ata poshtë tyre.
Gjatë jetës sime, më është dashur të kaloj një pjesë të madhe të kohës me njerëz të pasur në vende si Nju Jork City dhe Los Anxheles. Familja ime, e përbërë nga njerëz që merren me letërsi, nuk kishin pasurinë e bankierëve të Uoll Stritit apo të industrialistëve, sikurse ishin disa nga miqtë dhe fqinjët e mi. Më merr malli për atë kategori të pasurish. Ata kishin njëfarë vetëpërmbajtjeje protestante ndaj mburrjes. Disa prej tyre ngisnin Volvo të vjetra. Pak prej tyre fluturonin me klasin e parë, lëre pastaj të kishin avionë privatë. Veç kësaj, Nju Jorku i viteve 1980 ishte një vend ku ata që e tregonin pasurinë haptas, shpesh grabiteshin në rrugë. Nëse dikush ishte jashtëzakonisht i pasur, zakonisht nuk donte që të tjerët ta dinin këtë.
Të pasurit e sotmë janë më të pasur se kurrë më parë dhe kjo duket se i ka bërë më të këqinj se kurrë më parë. Më të pacipë. Më jashtë realitetit. Kanë më pak dhimbsuri. Dhe, për çfarëdo arsyeje të pakuptueshme, edhe më të zemëruar. Janë njerëz të cilët e shohin barazinë për të tjerët si shtypje ndaj vetes së tyre.
Ndonjëherë janë qesharakë të tipit të pasanikëve të rinj, si në rastin e Jeff Bezos që organizon një shkuma party në jahtin e tij pesëqind milionë dollarësh dhe pastaj pushton gjysmën e Venecias për dasmën e tij. Ose janë destabilizues, si Elon Musk që kërcen me një sharrë elektrike në duar, duke përgjysmuar institucionet e qeverisë federale – një lëvizje që la pa punë qindra mijëra persona dhe i kushtoi taksa paguesve vjet gati 135 miliardë dollar. Në shumicën e rasteve, ata e tundin pasurinë e tyre para syve tanë. Shokët miliarderë të Z. Trump, që e çanë rrugën me puthje dhe pagesa, përfituan ulje taksash.
Është mëse e dokumentuar që pasuria ekstreme të shkrin trurin. Sikurse Helen Riess dhe Liz Neporent shkruajnë në “Efekti i Empatisë:” “Studimet shkencore kanë treguar se ka një marrëdhënie të anasjelltë mes pushtetit dhe dhimbsurisë. Shpesh kjo distancë i izolon të pasurit dhe të pushtetshmit nga vuajtjet e njerëzve të zakonshëm.” Sa më i pasur të jesh, aq më e izoluar bëhet jeta jote dhe aq më jashtë realitetit je. Paraja kthehet në një kut matës për të krahasuar veten me të pasurit e tjerë. Nuk lidhet më me shqetësimin tënd për të paguar qiranë, furnizuar makinën me karburant, apo nëse mund ta blesh mishin e grirë në supermarket. Nëse pasurohesh mjaftueshëm, gjasat janë që mjeku yt nuk do të kërkojë më as që të paguash sigurimet shëndetësore dhe ti vetë nuk ke arsye për ta bërë.
Koështrirja e amerikanëve më të pasur duhet të jetë e mbushur me postime vetëmëshiruese apo me bindjen se ata janë njerëzit të cilët po diskriminohen. Sergey Brin shpenzoi personalisht 100 milionë dollar për të kundërshtuar taksën mbi pasurinë në Kaliforni. Për të mos përmendur këtu ankesat e 170.000 njurjorkezëve, të cilëve kryebashkiaku Mamdani iu kërkoi të vërtetonin se shtëpitë e tyre 5 milionë dollarëshe nuk ishin bosh, që të mund të shmangnin një taksë shtesë.
Një herë e një kohë, më të pasurit e Amerikës e dinin se gëzonin një jetë më të mirë se shumica dhe se na detyroheshin diçka ne të tjerëve. Ata silleshin në frymën e “Ungjillit të Pasurisë” të Andrew Carnegie-t, ku autori argumentonte se të pasurit kanë një detyrë morale të kontribuojnë për ndërtimin e një bote më të mirë për të gjithë. Ata financonin ndërtimin e bibliotekave, muzeumeve, kërkimit mjekësor, projekte për zhdukjen e sëmundjeve, e madje edhe financimin e universiteteve. Kjo ndoshta vinte nga bindjet e tyre morale ose edhe fetare. Ndoshta ishte një dëshirë për ta parë emrin e tyre të gdhendur në këto ndërtesa. Ose ndoshta vinte ngafrika, pas dekadash të tëra grevash lëvizjesh sociale apo revolucionesh, në vende të tjera.
Por këto mësime janë harruar në shumicën e rasteve. Më të pasurve të Amerikës nuk duket se iu intereson më të kthejnë diçka pas në shoqëri. Edhe kur miliarderët dhurojnë, shpesh japin për kauza që vijnë me përfitime të caktuara, si për shembull fondi për ceremoninë e inaugurimit të Z. Trump apo salla e tij qesharake e ballove.
Duket sikur amerikanët e thjeshtë janë lodhur nga e gjithë kjo. Në tërësinë e tyre, votuesit e refuzuan me shifra rekord qeverinë nga miliarderët për miliarderët të Z. Trump në zgjedhjet e mesmandatit. Ata nuk mund të blihen dhe as të korruptohen për të mos parë realitetin e tyre dhe do të vijnë për të votuar masivisht para se të lejojnë Elon Musk që të blejë zgjedhjet. Kur presidenti tentoi t’i joshte me çekun prej pesë mijë dollarësh, ata thjesht thanë jo.
Kostoja e jetesës u kthye në togfjalëshin kyç të këtyre zgjedhjeve sepse është një kosto reale. Gjatë mandatit të dytë të Z. Trump, çmimet për gjëra bazike si gazi, nafta, mishi dhe kafeja shkuan në qiell. Shkurtimet në financimin e programeve si Obamacare dhe Medicare po lënë miliona njerëz pa sigurime shëndetësore. Ligji “One Big Beautiful Bill” zhveshi miliona njerëz nga ndihma sociale që iu nevojitej për të ushqyer familjet. Ndërsa Z. Trump e ka mendjen te moria e projekteve të tij të ndërtimit, përfshi sallën e ballove, njerëzit e zakonshëm janë më të varfër dhe më të zemëruar se sa ishin kur e zgjodhën atë.
Fut këtu Marta Stjuart me tabelën: “Kam uri, më ndihmoni!”
Çfarë priste të bënin njerëzit, ta lavdëronin “ec aty, mbretëresha e lypsarëve!” në komente?
Znj Stjuart e fshiu menjëherë postimin dhe pas zemërimit publik kërkoi ndjesë disa herë. Pastaj fajësoi dikë tjetër për zgjedhjen e gabuar të veshjes së saj për Halloween. Ajo tha se prezantuesi i programit “Today,” Craig Melvin, kishte derdhur çokollatë të shkrirë në pulovrën e saj dhe se ishte veshur ashtu sepse kishte vetëm 10 minuta kohë. Çuditërisht, askush nuk po e beson këtë justifikim.
Njësoj si z. Trump dhe miqtë e tij miliarderë, ajo mund ta ketë shpërdoruar epokën e saj të artë.
- 72 orë pa ujë, drita dhe internet? Qeveritë po u kërkojnë qytetarëve të përgatiten për më të keqen - 10/11/2026
- Të pasurit jo vetëm u pasuruan më shumë, por u bënë edhe më të paskrupullt - 10/11/2026
- PS mbledh Asamblenë të shtunën te Gjiri i Lalzit. Zbulohen çështjet që do të diskutohen - 10/11/2026