Pas vendeve të tjera të Europës, edhe Greqia është përfshirë nga sulmet kibernetike.
Sipas mediave vendase edhe në shtetin fqinj janë regjistruar sulme ndaj sistemeve të frigoriferëve në rrjetet e supermarketeve dhe dyqaneve të tjera ushqimore.
Denoncimi është bërë fillimisht publik nga një kasap në Athinë, i cili ka njoftuar autoritetet për problemin.
Sipas pronarit, persona të panjohur kanë tentuar të ndryshojnë temperaturën e frigoriferëve deri në 150°C.
Pronari ka deklaruar se probleme të ngjashme janë vërejtur edhe në një supermarket dhe një biznes tjetër ushqimor në zonë.
Më 2 nëntor janë raportuar incidente në Belgjikë, Holandë, Suedi, Luksemburg, Irlandë, Estoni dhe Finlandë.
Në total mbi 100 dyqane evropiane kanë raportuar probleme me frigoriferët dhe ngrirësit pas incidenteve kibernetike.
Në të gjitha vendet janë raportuar dëme të konsiderueshme, ndërsa në disa raste kompanitë janë detyruar të largojnë nga shitja produktet e freskëta dhe të ngrira për të mbrojtur konsumatorët.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, autorët dhe synimin e tyre.