Mbyllja e faqeve që publikojnë të dhënat e marra nga sulmi kriminal kibernetik i është kërkuar autoriteteve të Kinës, Britanisë së Madhe dhe Rusisë.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës pasi nga hetimet është dalë në përfundimin se faqet që publikojnë të dhënat janë me IP ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi.
Njoftimi është bërë nga Prokuroria e Përgjithshme e cila nga ana e saj ka bërë me dije se u ka dërguar kërkesat për Ndihmë Juridike organeve ligjzbatuese të shtetit përkatës Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse.
Veprimet e Prokurorisë janë në vijim të hetimeve që nisën që në korrik të këtij vitit pas sulmit kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë. Prokuroria e Përgjithshme njofton se në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që i përkiste autorëve/bashkëpunëtorëve të këtij sulmi.
“Menjëherë më datë 19.07.2022, me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë është urdhëruar sekuestrimi i këtyre llogarive në dy rrjete sociale të ndryshme dhe si pasojë e këtij vendimi kompanitë përkatëse kanë reaguar duke mbyllur aksesin në këto llogari. Si pasojë e mos aksesimit, autorët e sulmit kibernetik hapën një faqe tjetër e cila u përdor për të shpërndarë mesazhe të ndryshme në lidhje me sulmin e kryer apo publikimin e të dhënave që janë vjedhur. Në ditët në vijim dhe aktualisht nga kjo faqe si edhe nga llogaritë nga aplikacionet e komunikimeve në internet si Telegram etj, po postohen dokumente të Policisë së Shtetit të cilat përbëjnë sekret hetimor. Postimi i të dhënave, të cilat dyshohen të jenë të hakuara dhe të kopjuara nga sulmi kibernetik i ndodhur ndaj sistemeve kompjuterike të AKSHI-it si dhe sistemeve kompjuterike të Ministrisë së Brendshme, kryhet nga faqja online me emërtimin “HomelandJustice” dhe me link https://homelandjustice.cx/ si dhe nga profili në rrjetin social “Telegram” me emërtimin “JusticeHomeland1” dhe me link https://t.me/JusticeHomeland1.” Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se këto faqe kanë IP ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi”, njofton Prokuroria e Përgjithshme.