Komisioni i ligjeve ka nisur sot diksutimin lidhur me projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar.
Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.
Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët, janë në ligjin e dekriminalizimit. Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.
Ndërsa ndryshimi i ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në Sigurimin e Shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.
Thelbi ndryshimeve të propozuara është hapje totale e dosjeve përfshi edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini.
Ndërsa prezantoi nismën e propozuar nga një grup i deputetëve demokratë, Enkelejd Alibeaj sqaroi se projektligji nuk synon aspak të dëmtojë kuadrin ligjor ekzistues, por ka për qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm.
“E para, sjell shtimin e paragrafit të shtatë të nenit 13 të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, duke sanksionuar se dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, konsiderohen të klasifikuar ex lege, pra për shkak të ligjit. Si të tilla, ato nuk kanë nevojë që t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ana e një autoriteti, komisioni apo strukture tjetër shtetërore për të kryer deklasifikimin e tyre.
Megjithatë, me qëllim ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, dispozita përjashton nga zbatimi i saj ato dokumente që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare. Po ashtu, dispozita ka treguar kujdes të vecantë për të përjashtuar nga zbatimi i saj edhe ato dokumente që lidhen me sigurinë kombëtare të vendit. Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare, do të trajtohen në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues.
Ndërsa, neni i dytë parashikon hyrjen në fuqi, në përputhje me përcaktimin e bërë në nenin 84, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.”– theksoi Alibeaj.