14.5 C
Tirana
06 / 04 / 2026

Sot protestë, mijëra studentë shqiptarë në RMV kërkojnë provimet në gjuhën e tyre

Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut po protestojnë sot në Shkup, 6 prill, për të drejtën e dhënies së provimeve në gjuhën shqipe.

Besar Sejdiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, bëri thirrje për mbështetje të gjerë qytetare ndaj kësaj proteste paqësore, e cila do të mbahet të hënën në kryeqytet.

Sipas njoftimit, protesta do të nisë në orën 12:30 nga Ura e Gurit. Studentët kërkojnë që e drejta e dhënies së provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe të zbatohet në praktikë, një e drejtë që, sipas Kushtetutës dhe ligjit, është e garantuar, por nuk po respektohet aktualisht.

Sejdiu deklaroi se moszbatimi i kësaj të drejte prej vitesh po krijon pengesa serioze për studentët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Ai e cilësoi këtë çështje si një kauzë të rëndësishme për barazi dhe respektimin e të drejtave themelore, më shumë sesa si një problem individual apo politik. Në këtë kontekst, ai bëri thirrje që qytetarët, institucionet dhe të gjithë aktorët shoqërorë të mbështesin protestën dhe të marrin pjesë në të.

Organizatorët njoftuan se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe adresimin e kërkesave të studentëve tek institucionet përkatëse.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x