11.7 C
Tirana
18 / 05 / 2025

Sondazhi i Piepolit/ Një javë nga nisja e fushatës, Rama konfirmon fitoren me 50% të votave! Berisha mbetet në të njëjtat shifra! Çfarë ndodh me “të vegjlit”

Shqiptarët do t’i besonin sërish kryeministrit Edi Rama një mandat të katërt, sipas të dhënave të sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv. Tashmë që u përmbyll një javë fushatë elektorale, shifrat tregojnë se PS do të fitonte me 46-50% të votave. Avantazhi i PS vijon të jetë i qëndrueshëm, po ta krahasojmë edhe me rezultatet e një jave më parë ku me pothuajse me të njëjtat shifra, 46,5-50,5% do merrte mandatin e katërt. Rama thellon fitoren krahasuar me rezultatet e 2021 që u konfirmua në krye të qeverisë me 48,7% të votave.

Ndërkohë, koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore i udhëhequr nga Sali Berisha qëndron në të njëjtat kuota si në sondazhin e mëparshëm (10 prill), duke mos kaluar 33-37%, një rënie e ndjeshme krahasuar me rezultatin e PD-së në vitin 2021, që ishte 46,3%.

Forcë e tretë mbetet koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt, i cili sipas rezultateve të sondazhit do të merrte 7-9% të votave, një rritje e lehtë krahasuar me të dhënat e një jave më parë, kur merrte 6.5-8.5%.

Partia “Mundësia” e Agron Shehajt, nga ana tjetër, ka shënuar një ulje të lehtë në sondazhin e 17 prillit, duke kaluar nga 4-6% në 3.5-5.5%, por mbetet forcë e katërt.

Partia Social Demokrate (Tom Doshi) mbetet e qëndrueshme në vlerat 1-3%, duke ruajtur pozicionin e vet në sondazhe pa lëvizje domethënëse gjatë javëve të fundit.

Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit pëson një rritje ‘simbolike’, duke kaluar nga 0-2% në sondazhin e 10 prillit, në 0.5-2.5% në sondazhin e sotëm. Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës, mbetet në të njëjtin nivel si një javë më parë dhe do merrte 0.5-1% të votave. Ndërkohë, Koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i Dashamir Shehit nuk e kapërcen pragun 0.5% të votave.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x