Nga Valbona Sulçe
Po shihja dje për të disatën herë dokumentarin kushtuar personit që u doli para tankeve në sheshin Tianamen, në 5 qershor 1989. Fotoja e tij u bë virale, megjithëse nuk u gjet kurrë kush ishte. Tani ajo foto është një simbol i rezistencës dhe sakrificës sublime për liri. Por kësaj here tjetër gjë më tërhoqi vëmendjen. Veprimet e ushtarëve që qëllonin mbi turmën pa teklif, arrestonin, torturonin sipas urdhrave që u jepnin. Dhe automatikisht më ngjanë me një kategori tjetër personash që sot quhen “skuadronet e medias sociale” ose trolls, ose snajperistët virtualë. Bëhet fjalë për ata njerëz të padukshëm që punësohen nga struktura të caktuara, shtete ose korporata, për të sulmuar online këdo që konsiderohet kundërshtar i regjimit ose rival i biznesit ose thjesht një person që duhet sulmuar se kështu i shkrepet dikujt. Një gazetare që u infiltrua në një strukturë të tille, Ludmilla Savchuk tregon se “Asnjë nga ata që punonin në fermën e trollsave nuk e përshkruante veten si trolls. Përkundër kësaj, ata flisnin për punën e tyre në mënyrën pasive, u shkrua një artikull, u bë një koment. Shumica e trajtonin fermën si çdo punë tjetër, duke bërë minimumin që u kërkohej dhe largoheshin në orar. Shumë prej tyre dukeshin të rinj mjaft të këndshëm, me fytyra të hapura, të lezetshme dhe sërish nuk pulisnin asnjë qepallë kur u kërkohej të linconin, degradonin, fyenin dhe poshtëronin viktimat e tyre.”
Fiks si ushtarët e Tianamenit. Nëse ata do ishin në shesh, do bënin të njëjtën gjë atë ditë të qershorit 1989. Do zbatonin urdhrat e shefit. Sepse kjo për ta është një punë. Edhe pse vrasin njerëz, jo me plumba, por me statuse dhe shpifje, trillime. Dhe pastaj shkojnë në shtëpi të shohin Netflix ose pinë birra me shokët duke parë reality shown e rradhës. Jeta funit, mo!
Ky është brezi që po rrisim? Kaq pa ndërgjegje, pa parime? Halli është se atëherë ishin dy duar për një kokë, po tani si të luftosh kundër një turmë-mijëra kokave online me dy duar, kur nuk e di sa njerëz realë ka midis tyre?
- Gara presidenciale! Trump apo Harris? Sondazhi: Në lojë 19 vota elektorale,kryeson Kamala Harris - 17/09/2024
- Papa Françesku mesazh për të rinjtë në 10 vjetorin e vizitës në Tiranë: Ju jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut - 17/09/2024
- Fluturimi historik! Avioni drejtohet familjarisht nga piloti me gruan dhe tre vajzat e tyre - 17/09/2024