Këshilla udhëtimi nga Paulo Coelho
E kam kuptuar shumë herët se për mua udhëtimi është mënyra më e mire e të mësuarit. Ende sot jam pelegrin në shpirt dhe vendosa të ndaj me ju disa nga gjërat që kam mësuar, me shpresën se do tju hyjnë në punë.
1. Shmang muzetë.
Mund të duket absurde, por mendojeni pak: nëse jeni në një vend të huaj nuk është më interesante të shkosh në kërkim të së tashmes sesa të së kaluarës? Në një farë mënyre, duket sikur njerëzit janë të detyruar të shkojnë nëpër muzeume me argumentin se në to do të mësojnë më shumë mbi kulturën e vendit pritës. Sigurisht, muzetë janë shumë të rëndësishëm, por vizitimi i tyre kërkon kohë; duhet të dish që më parë se çfarë do të shohësh, ndryshe rrezikon të mos i mbash mend.
2. Dil nëpër bare
Baret janë vendet ku njihet jeta e qyteteve, jo muzetë. Me bare nuk kuptoj klubet e natës, por ato vendet e vogla të mbushura me njerëz të zakonshëm, të cilët pinë nga një gotë dhe janë gjithmonë të gatshëm të hyjnë në biseda.
3. Pyet
Askush nuk do tjua tregonte më mirë një qytet sesa një vendas, që e njeh shumë mirë qytetin dhe mbi të gjitha është krenar për të. Mos ki turp të pyesësh. Dil në rrugë, zgjidh një njeri që ke dëshirë ti flasësh dhe pyete për ndonjë gjë. Nëse nuk ia arrin qëllimit, mos u ndal, pyet dike tjetër. Në fund të ditës do të kesh gjetur një shoqërues perfekt.
4. Udhëto vetëm ose me partnerin/en
Mbase nuk është e lehtë në fillim, por të udhëtosh në grup nuk është ide e mirë, do të ndjekësh gjithmonë vendimet e grupit dhe nuk do të përqendrohesh te vendi që po viziton.
5. Mos krahaso
Mos krahaso gjë: çmime, standarde, cilësinë e jetës, mjetet e transportit, asgjë. Nuk po udhëton për të provuar se ti jeton më mirë se ca njerëz të tjerë. Qëllimi yt është të zbulosh se si jetojnë të tjerët, çfarë mund të të mësojnë, si përballen me realitetin.
6. Mos harro se të gjithë të kuptojnë
Edhe nëse nuk e flet gjuhën e vendit që po viziton, mos u tremb. Kam qenë në kaq shumë vende ku nuk mund të komunikoja me fjalë e megjithatë gjithmonë kam gjetur mbështetje, këshilla të vlefshme, madje edhe të dashura. Disa njerëz mendojnë se po të udhëtojnë vetëm do të humbin përgjithmonë. Sigurohu që të kesh kartëvizitën e hotelit me vete dhe nëse të kap paniku, ndalo një taksi dhe tregoja taksistit.
7. Mos bëj shumë pazar
Shpenzoji paratë për gjëra që nuk rëndojnë. Me teknologjinë e sotme mund të blesh çdo gjë pa i rënduar bagazhet.
8. Mos u mundo të shohësh gjithë botën në një muaj
Është më mirë të qëndrosh në një qytet për katër-pesë ditë sesa të vizitosh pesë qytete në një javë. Qyteti është si një grua kapriçoze: duhet kohë ta joshësh derisa të zbulohet para teje.
9. Udhëtimi është aventurë
Henry Miller thoshte se është më e rëndësishme të zbulosh një kishë për të cilën nuk ka dëgjuar askush sesa të shkosh në Romë dhe të jesh i detyruar të vizitosh Kapelën Sistine me dy mijë turistë të tjerë që të shfryjnë në vesh. Sigurisht që ia vlen ta shikosh Kapelën Sistine, por gjithashtu endu nëpër rrugë, zbulo rrugina, kërko për diçka të panjohur, që kur ta shohësh të jesh i sigurt që do të të ndryshojë jetën.
Përktheu: Elona Qose