Nga Ermal Mulosmani
Heshtja e Opozitës ndaj masakrës urbane në anën veriore të Parkut të Liqenit Artificial (Sheraton City), i ndërtuar me bashkpronësinë e Shefqet Kastratit me Arben Ahmetajn ishte treguesi më i madh i kapjes së saj.
Nëse brenda Parkut të Liqenit, zonë e mbrojtur, ndërtohen 10 kulla 20 katëshe, duke shkulur qindra pemë dhe shkatërruar mushkëritë e mijëra e mijëra qytetarëve që përditë dalin të gjejnë pak oksigjen në këtë betonim pasionant e të pangopur të qytetit, dhe vetëm ndonjë aktor i dorës së dytë reagon, ky është tregues se Pushteti i Betonuesve ka kapur çdo qelizë të shtetit. Rasti i fundit duket sikur është bërë kastile: Ne do japim lejen Shtufit (për ironi fjala shtuf në fjalorin shqip përkthehet si shkëmb ranor, i thërmueshëm, e kundërta e betonit) dhe do shihni sa urtë do rrijë Opozita. Dhe Opozita nuk ndihet.
Ky është vendi ku Pozita dhe Opozita bëhen bashkë për të fryrë xhepat e tyre në kurriz të interesave të qytetarëve. Me fjalë të tjera kemi një shtet monist që kujdeset edhe për levat e Partisë.
Unë vazhdoj të shpresoj se do të ketë shpresë edhe pas vdekjes së PD-së. Nisma e Lapajt është ajo që më ngacmon më shumë. Sepse lideri i saj është i ri, më pak se 40 vjeç, shpesh rezonon me mendimet dhe prioritetet e mia, nuk ka histori korrupsioni e as përzierjeje me Sigurimin e Shtetit (mosha nuk ia lejon). Arsye tjetër që e mbështes është se mbështetet nga Soros dhe Ambasada Amerikane. Po po, për mua kjo është një arsye e fortë për t’iu bashkuar. Unë kam qenë absolutisht kundër shkatërrimit të PD-së nga Ambasada Amerikane por jam në gjendje të kuptoj se Shqipëria nuk ka të ardhme pa mbështetjen e shtetit amerikan. Sorosi dhe Amerika vetëm ia shtojnë kreditet Lapajt. Ai as nuk duhet t’i fshehë e as ti justifikojë por të jetë krenar për mbështetjen e tyre.
Në gjithë spektrin politik për momentin nuk shoh ndonjë alternativë më të mirë. Arlind Qorrin e shoh si shumë afër ekstremit të majtë, ish komunist, dhe është i përjashtuari i tretë pas Ed Ramës dhe Lul Bashës. I përjashtuari i katërt është LSI dhe i përjashtuari i fundit në listën time është Berisha. Kur ishin zgjedhjet lokale e votova Nismën Thurje për këshilla bashkiakë por rezultati ishte zhgënjyes. Në këto kushte, unë përfundimisht do të përpiqem të promovoj sa të mundem Partinë e Lapajt.
Për ata që mendojnë se është lëvizje e Ramës kam vetëm një përgjigje: “Po pse keq i ka punët me këtë Opozitë Rama sa të krijojë një tjetër”?
Për ata që përmendin kufizimet e drejtuesit iu kujtoj nivelin e drejtuesve të tjerë partiakë. Unë besoj te Lapaj.