26.5 C
Tirana
02 / 06 / 2025

“Shtohet hezitimi ndaj vaksinave”, ISHP: Dezinformomi solli shpërthimin e fruthit dhe pertusit

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka theksuar rëndësinë jetike të vaksinimit dhe kontrolleve shëndetësore të rregullta, në një kohë kur hezitimi ndaj vaksinave po rritet ndjeshëm, sidomos pas periudhës së pandemisë COVID-19.

Sipas Tominit, pavarësisht rekomandimeve ndërkombëtare për marrjen e një doze përforcuese kundër COVID-19 një herë në vit, është vënë re një zbehje në interesin për vaksinim në tërësi.

“Ka pasur shtim të hezitimit sa i përket vaksinimit në tërësi, jo vetëm zbehjes së COVID 19 që sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve rekomandohet një dozë kujtese një herë në vit. Koncepti i një programi të tërë vaksinimi nis që në fëmijërinë e hershme dhe përvijon gjatë gjithë jetës.

Ne rekomandojmë vaksinimin për programin kombëtar të vaksinimit në moshën fëminore deri në 18 vjeç dhe promovojmë aplikimin e vaksinës së gripit.

Koncepti i një programi të plotë vaksinimi nis në fëmijërinë e hershme dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Ne rekomandojmë vaksinimin sipas programit kombëtar deri në moshën 18 vjeç dhe gjithashtu promovojmë vaksinën e gripit sezonal,” – tha Tomini.

Drejtoresha e ISHP paralajmëroi se përhapja e dezinformatave ka ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin publik, duke çuar në shpërthime epidemike si fruthi dhe pertusi, që u regjistruan paralelisht për një periudhë gjashtëmujore gjatë vitit 2024.

“Industritë farmaceutike që janë në konkurrencë japin induksion, informacion të gabuar, duke induktuar mendimin dhe sugjestionimin e popullatave, bëri të kushte zbehje dhe solli shpërthim epidemik paralale, fruthi dhe pertusi që shkuan si dy shpërthime paralele gjatë 2024-ës për 6 muaj me radhë.”, tha ajo.

Drejtoresha e ISHP bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me strukturat shëndetësore dhe për marrjen e informacionit vetëm nga burime zyrtare dhe të besueshme. Sipas Tominit, këshillimi me mjekun është hapi më i sigurt për çdo vendimmarrje mbi shëndetin.

Ajo bëri të ditur se përveç vaksinave të detyrueshme për fëmijët, në program janë përfshirë edhe vaksina për udhëtarët, si dhe vaksinime të posaçme për të parandaluar forma të ndryshme të sëmundjeve alergjike.

Tomini theksoi se fuqizimi i sistemit imunitar duhet të mbështetet edhe nga faktorë të jashtëm si vaksinat, duke kujtuar se nga viti 2019 ka pasur një rënie të ndjeshme të përqindjes së vaksinimit në popullatë, fenomen që lidhet me mungesën e informacionit të saktë dhe përhapjen e teorive të rreme.

Sot, shoqëria përballet me rryma dhe ndikime të ndryshme që krijojnë dyshime, veçanërisht ndaj vaksinave. Ka pasur pretendime të pabazuara shkencërisht për lidhjen mes vaksinës MMR dhe autizmit, por këto janë rrëzuar me kohë dhe artikujt përkatës janë tërhequr nga botimi për mungesë të provave”, deklaroi Tomini.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x