11.5 C
Tirana
21 / 12 / 2024

Shtetet nuk ndërtohen me një intervistë në “New York Times”

Nga Ervis Iljazaj

Ideja e një shteti fetar bektashi të pavarur brenda Shqipërisë të tipit “Vatikan”, ishte aq befasuese , aq edhe si një rrufe në qiell të hapur, po aq ide edhe e ‘’çmendur’’, sa që i ka përfshirë të gjithë në debat, të madh e të vogël, besimtar apo ateist. Këtë ide e ka hedhur Kryeministri Rama në një intervistë dhënë për New York Times.

Ndoshta qëllimi ishte pikërisht ky. Fakti që po debatohet kaq shumë, dhe do të ndodhë edhe në ditët në vijim, intervista ja ka arritull qëllimit. Edhe për faktin se kjo ide është hedhur pikërisht në një nga gazetat më presitigjoze dhe me më ndikim të botës, është një çështje që duhet diskutuar. Përderisa New York Times e ka marrë seriozisht, përse mos ta marrim edhe ne, të prekurit direkt nga kjo ide.

Ajo që më ka bërë përshtypje në këtë ide nuk është diskutimi nëse është mirë ose jo të ndërtohet një shtet i tillë. Sigurisht kjo ide mund të ketë avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ajo që bën më shumë, është fakti se si mund të hidhet një ide e tillë për herë të parë në një intervistë gazetareske., qoftë kur bëhet fjalë për një shtet shpirtëror por që gjithesesi do të ketë sovranitet. A thua se ndërtimi i një shteti, sado i vogël qoftë, i çfarëdo lloji qoftë, është thjesht një çështje interviste dhe kaq.

Pa e ditur askush më parë, pa u diskutuar dhe pa u bërë e ditur për opinionin publik, me dy rreshta intervistë hidhet ideja e një shteti, a thua se ato ndërtohen në laborator.

Ndërtimi i një shteti, edhe ai i atyre me pak hektarë tokë, ka ardhur si pasojë e një konteksti historik, kulturor apo diplomatik. Nuk ka ardhur si një ide iluminuese i një njeriu.

Për shembull Vatikani, që ju referua Kryeminstri në intervistën e tij, nuk u krijua si shenjë e tolerancës fetare, apo si mëshirë. U krijua sepse Shteti Papal i Romës ka ekzistuar prej shekujsh me në krye Papën, i cili shtrihej deri në Bolonja. Kur u bë bashkimi i Italisë lindi një problematikë, ajo që quhet çështja romane. Çdo të bëhej me pushtetin e Papës, me pronat dhe autoritetin e tij. Në vitin 1929 Musolini bëri një marrëveshje me Papën dhe krijoi shtetin e pavararur të Vatikanit, duke e lënë thjesht si një shtet shpirtëror pasi Papa e kishte humbur pushtetin politik në Romë. Dhe si kompensimi për humbjen e pushtetit të tij i dha një dëmshpërblim financiar të madh.

Vatikani ka qenë një shtet me në krye Papën me ushtrinë e tij, me ligjet e tij dhe me të gjitha strukturat e një shteti modern. Nuk u ngrit Musolini një ditë të bukur dhe tha se do të ndërtojmë një shtet brenda shtetit. Po kështu është dhe historia e shumë minishteteve që ekzistojnë në Europë. Ato kanë një arsye historike, një kontekst të të caktuar politik dhe diplomatik në shumë raste.

Nuk dua të paragjykoj idenë e një shteti të tillë, aq më tepër kur vetë jam i fesë bektashiane. Por kjo nuk është mënyra se si ndërtohet një shtet sovran. Është një çmenduri të mendosh që me një të rënë të lapsit mund të bësh ç’të duash kur bëhet fjalë për çështje kushtetutese, kulturore dhe fetare që i përkasin një populli.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x