BBC ka konfirmuar se Gary Lineker nuk do të prezantojë “Ndeshjen e Ditës (Match of the day)” pasi njoftuan se prezantuesi do të jetë në bisedime për krizën. Vendimi i transmetuesit të financuar nga publiku britanik ka zemëruar publikun e gjerë dhe ka parë emra të mëdhenj nga bota e sportit dhe showbiz-it që nxitojnë të mbështesin Gary – me bashkë-yllin e emisionit Ian Wright që refuzoi të shfaqet në shfaqje nesër mbrëma për shkak të solidaritetit.
Në një deklaratë, BBC tha: BBC ka qenë në diskutime të gjera me Gary dhe ekipin e tij ditët e fundit. Ne kemi thënë se e konsiderojmë aktivitetin e tij të fundit në mediat sociale si një shkelje të udhëzimeve tona. BBC ka vendosur që ai të tërhiqet nga prezantimi i Match of the Day derisa të kemi një pozicion të dakorduar dhe të qartë për përdorimin e tij të mediave sociale. Kur bëhet fjalë për mbulimin futbollit dhe sportit, Gary nuk është i pazëvendësueshëm.
E gjitha nisi pasi, sipas Lineker, çështja e emigrantëve e gjitha ishte një “politikë jashtëzakonisht mizore të drejtuar ndaj njerëzve më të cenueshëm në gjuhë jo të ndryshme nga ajo e përdorur nga Gjermania në vitet ’30”. Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman iu përgjigj duke u shprehur se ishte “e zhgënjyer” me komentet e ish-futbollistit.
Prej ditësh bëhet thirrje nga Qeveria e Britanisë së Madhe e cila ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrantë të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak dhe Suella Braverman kanë paralajmëruar se do të fusin në fuqi projektligjin e ri që synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrantë që futen në vend përmes gomoneve. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi. Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.