Nga Dashnor Kokonozi
Para Ritës njoha pjesë të krijimtarisë së saj, pastaj më kujtohet ajo histeria absurde që u ngrit nga puritanët e vonuar. Me Ritën vetë jam njohur këto dy- tre vitet e fundit. Nëse nuk gaboj, me ndërmjetësinë e Sokol Çungës, diku gjatë paraqitjes së një libri të A. Vehbiut.
Aty ramë dakord edhe “për projektin e ndonjë libri”. Gjë që u realizua me botimin e lumtur të “Martesës së palumtur…”, për të vazhduar më pas me “Ankthin e Abrahamit.”
Por duhej që të ndodhesha rastësisht në Tiranë, javën e shkuar, i ftuar në një përvjetor të “Albas-it”, që të mësoja më shumë për të dhe universin e saj të botimeve.
Midis ndërhyrjeve të rastit, ajo që më mbeti në mendje dhe, me sa kuptova, nuk u ra shumë vetëve në sy, ishin kujtimet e një kolegeje që tregoi për fillimet e saj nga zero. Pasi bënte vetë hartimin e redaktimin e librave shkollorë, Rita merrte t’i shpërndante po vetë me … biçikletë.
Një arsye tjetër pse më mbeti në mendje një lloj imazhi i Rita Petros me thesin e librave në krah, lidhet me kushtet me të cilat botoj sot. Në një farë mënyre, është dashur që ajo të bëjë edhe autorin edhe redaktorin dhe bashkë me ta edhe hamallin, që, autorë të ndryshëm, midis të cilëve edhe unë, të merremi me letërsi. Sepse, dhe këtu flas për veten, pasi regjimi komunist pranoi të më botojë “Shtratin e Prokustit” me paratë e tij, më mirë do të hiqja dorë nga letërsia se sa të botoja më tej me paratë e mia në një sistem, teorikisht më dashamirës ndaj letërsisë dhe arteve. Të kuptohemi, gjithkush mund të gjejë një shumë parash ose një sponsor për një tirazh minimal, por ishte çështje parimi. Si minimum, letërsia duhet të riprodhojë veten.
Nuk di shumë gjëra, nuk e përjashtoj mundësinë që e gjithë industria e botimit në Shqipëri funksionon me këtë logjikë, pra financon botimin dhe nuk harron të shpërblejë autorin, por unë kam njohur Rita Petron dhe, para saj, botuesen time të çmuar “historike”, Brikena Çabejn.
Arsyeja tjetër që vlerësoj rastin e Ritës, është jashtë letrare. Historia e saj më bind edhe një herë se janë njerëzit e palodhur të punës ata që e shtyjnë vendin përpara dhe, fatkeqësisht, është politika ajo që e tërheq mbrapsht, duke e varfëruar materialisht dhe moralisht.
- OSLO, 11 DHJETOR 1979/ Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit,jerëzorja, thellësisht njerëzore e shenjtores - 12/12/2025
- Shën Rita dhe djajtë - 12/12/2025
- Veliaj kërkon revokimin e vendimit të GJKKO: Masat ndaj meje janë trajtim poshtërues, kërkoj shtyrjen e procedurës - 12/12/2025