Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, në një marrëveshje që vlerësohet rreth 210 milionë dollarë. Pajisjet e reja ushtarake synojnë të rrisin kapacitetet mbrojtëse të vendit dhe aftësinë e Forcave të Armatosura për të kryer goditje të përpikta në distanca të largëta.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga autoritetet amerikane, kërkesa e Shqipërisë përfshin dy sisteme raketore M142 HIMARS, si dhe 12 kapsula me raketa të dy llojeve të ndryshme. Në paketë parashikohen edhe sisteme të posaçme për drejtimin dhe koordinimin e artilerisë, dy automjete ushtarake, pajisje komunikimi e navigimi dhe raketa për stërvitjen e efektivëve.
Përveç armatimit, marrëveshja përfshin pjesë këmbimi, mbështetje teknike dhe logjistike, si dhe trajnimin e personelit shqiptar për përdorimin e sistemeve. Kontraktori kryesor i projektit do të jetë kompania amerikane e industrisë së mbrojtjes, Lockheed Martin. Për vendosjen dhe funksionimin e pajisjeve parashikohet gjithashtu angazhimi i deri në 15 përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kompanisë, të cilët do të kryejnë vizita në Shqipëri rreth dy herë në vit.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo marrëveshje do të forcojë bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve dhe do të rrisë aftësitë e Shqipërisë në kuadër të angazhimeve të saj në NATO. Autoritetet amerikane vlerësojnë se pajisjet mund të integrohen pa vështirësi në strukturat ekzistuese të ushtrisë shqiptare dhe se shitja nuk do të ndryshojë ekuilibrat ushtarakë në rajon, apo të ndikojë në gatishmërinë mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara.