Pas gjashtë orësh debatesh dhe përpjekjesh për të shtyrë votimin, Knesset-i ka zgjedhur Matan Kahanan në krye të parlamentit izraelit, duke i dhënë opozitës një fitore të rëndësishme ndaj Benjamin Netanyahut. Kahana, 54 vjeç, nga partia Yashar e Gadi Eisenkot, fitoi me 66 vota kundrejt 52 për kandidatin e mbështetur nga Likud-i, Ofir Katz.
Ai zëvendëson Amir Ohanan, i cili e drejtoi Parlamentin për gati katër vite në krah të Netanyahut. Ish-pilot luftarak dhe ish-ministër në qeverinë Bennett-Lapid të vitit 2021, Kahana premtoi në fjalimin e tij të parë se do të jetë kryetar i të gjithë deputetëve. Megjithatë, rëndësia e zgjedhjes së tij shkon përtej emrit që do të drejtojë institucionin, pasi kryetari i Knesset-it ka ndikim të drejtpërdrejtë në përcaktimin e rendit të ditës dhe në kalimin e nismave ligjore.
Me këtë ndryshim, kampi i opozitës fiton mundësinë të çojë përpara disa prej nismave që ka paralajmëruar prej kohësh, mes tyre çmontimin e reformës në drejtësi dhe krijimin e një komisioni hetimor për sulmin e 7 tetorit, të cilin Netanyahu e ka kundërshtuar. Eisenkot ka afat deri muajin e ardhshëm për të formuar qeverinë e re, por fitorja në Parlament i jep opozitës mundësinë të nisë zbatimin e ndryshimeve të premtuara edhe përpara krijimit të kabinetit të ri.
Pas kësaj fitoreje qëndron një bashkim i pazakontë forcash politike, ku përfshihen partia Yashar, lista e përbashkët e ish-kryeministrave Naftali Bennett dhe Yair Lapid, Demokratët e së majtës, partia e Avigdor Lieberman dhe dy partitë arabe, Ra’am dhe Lista e Përbashkët. Këto të fundit, me 19 deputetët e tyre, rezultuan vendimtare për zgjedhjen e Kahanas.
Ndërsa Netanyahu vazhdon të shpresojë për një qeveri të unitetit kombëtar, votimi i fundit tregon se për momentin ai ka humbur kontrollin mbi një nga institucionet më të rëndësishme të pushtetit në Izrael.