Deputeti i PS, Eduart Shalsi tha se opozitarët kanë marrë direktiva nga numri dy i PD, Flamur Noka, i cili u ka thënë që në mesin e kandidatëve të firmosin dhe për Shabanin.
Deputeti i PD-së Saimir Korreshi për të sqaruar të gjithë kalvarin e hedhjes së firmave dhe më pas tërheqjen e tyre për kandidatët e Avokatit të Popullit, tha se nuk ka pasur një konsensus grupi dhe se firmat janë hedhur për më shumë se një kandidat lidhur dhe në bazë të raporteve shoqërore me ta. Mirëpo, në mesin e 6 kandidatëve është dhe emri i Endrit Shabanit, që opozita kërkon sot ta përjashtojë nga lista me 6 emra, i cili ka siguruar 35 firma nga PD.
Pd ka kërkuar rihapje të procesit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ndërsa deklaruan se të vetmit kandidatë të opozitës janë Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni.
Shalsi: Kishte nga ata kolegë të opozitës, që thonin më ka thënë numri 2 i partitë (Flamur Noka) të firmos për Endri Shabanin. Për veprimet që bëjmë, ne paguajmë pasojat. Të mos humbasim kohë, të vijojmë me procedurat.
Korreshi: Shals, unë mbaj përgjegjësi për firmat e mia. Unë sekretarin e Përgjithshëm kam pyetur a ka vendim grupi, më ka thënë jo, se mundem me të gjithë (për të dhënë firma), pa u bërë keq. S’ka pasur vendimmarrje grupi, pra mund t’i jepeshin firmat kujtdo kandidati që ne mos të ishim keq me askënd. Për sa kohë s’ka pas vendim për kandidat të caktuar, deputetët mundet që për një lidhje shoqërore etj, mund të merrnin firmën kandidatët. Por këto firma i dhamë pa kaluar në komision ligjesh për të parë kriteret kushtet a pranoheshin etj. Ne tërhoqëm gjithë firmat që të zgjidhet në konsensus. A na i ka marrë njëri natën, ditën, na ka detyruar? Jo, firmat i kemi dhënë.