Më 6 dhjetor, Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare.
A2 CNN ka mësuar se për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.
Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.
Në këtë tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, çmimi i naftës dhe gazit, siguria, sfidat e klimës si dhe bursat për të rinjtë. Një pikë që ende nuk ka arritur në finalizim mbetet heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.