24.5 C
Tirana
28 / 04 / 2026

Reuters: Lumi Drin shpëton Shqipërinë nga kriza globale

Ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka tronditur tregjet globale të energjisë dhe ka çuar çmimet në nivele rekord, mbrojtja e Shqipërisë po vjen nga malet në veri të vendit.

Lumi Drin, i fryrë nga shirat e dimrit dhe shkrirja e borës, po shërben si një mburojë natyrore.

Ky lumë prodhon mbi 90 për qind të energjisë në vend, duke u bërë faktori kryesor që po mban çmimet e shitjes me shumicë nën kontroll.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Shqipëria është një shembull se si vendet me prodhim më të lartë të energjisë së rinovueshme janë mbrojtur nga rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë elektrike që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli sulmuan Iranin më 28 shkurt.

Ekspertët e shohin këtë si një trashëgimi që duhet mbrojtur. Gjergji Simaku ekspert energjie dhe ish-zv.ministër i Energjisë shprehet për “Reuters” se e ardhmja e energjisë duhet parë të energjia e rinovueshme.

“Unë e shoh të ardhmen e Shqipërisë te burimet e rinovueshme. Ne duhet të zhvillohemi në këtë mënyrë, vetëm përmes burimeve të rinovueshme, sepse ka shumë përfitime, rritim sigurinë e furnizimit dhe, mbi të gjitha, reduktojmë koston e prodhimit të energjisë elektrike, ndërkohë që pjesa tjetër e botës është e ekspozuar ndaj rritjes së kostove për shkak të krizës me Iranin”, tha eksperti Gjergji Simaku.

Ministria e Energjisë, në një deklaratë për Reuters thotë se mbështetja e madhe e Shqipërisë te energjia e rinovueshme ka luajtur një rol vendimtar në zbutjen e efekteve më të rënda të krizës, dhe  pothuajse 90% e prodhimit vendas vjen nga hidrocentralet dhe 10% nga impiantet fotovoltaike, si ai i Karavastasë.

Kjo do të thotë se Shqipëria nuk është drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të fosileve si vendet që varen nga gazi ose qymyri.

Por, medalja ka edhe një anë tjetër. Kur nevojat rriten, vendi detyrohet të importojë energji të shtrenjtë fosile ose të mbështetet te projektet e debatueshme, siç janë anijet prodhuese të energjisë në Vlorë, por ato kanë hasur në rezistencën e fortë të banorëve vendas.

“Ne protestuam sepse nuk ishim dakord me ato anije në portin tonë. Kostoja e prodhimit ishte e lartë dhe ndotja që ato shkaktonin ishte e papranueshme për qytetin”, tha Vangjel Dako, një banor i Vlorës.

Analistët ndërkombëtarë thonë se energjia e rinovueshme ka shpëtuar Shqipërinë nga ‘gropa’ ku ranë Gjermania apo Italia, por varësia e plotë nga moti mbetet pika më e dobët në afatgjatë nëse nëse vjen një vit i thatë.

Ky shqetësim ngrihet edhe në Planin Kombëtar të Përshtatjes 2026-2036, ku sektori i Energjisë, mban 20% të totalit të faturës financiare të përshtatjes ndaj klimës, me një vlerë prej 1.9 miliardë dollarë, nga 9.8 miliardë dollarë që duhet të investojë Shqipëria në total për të përballuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Ky sektor mbetet jetik për sigurinë kombëtare, duke pasur parasysh varësinë tonë nga burimet ujore.

INVESTIMET PËR PERSHTATJEN NDAJ KLIMËS

TOTALI                 9.8 MILIARDE USD

ENERGJIA            1.9 MILIARDE USD

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x