31.7 C
Tirana
27 / 08 / 2026

Republikat e pavarura të Republikës së Shqipërisë

Nga Ylli Manjani

Ka një moment kur absurdi nuk është më gabim. Është bërë sistem.

Debati për vetëvendosjen e pagave të gjyqësorit, pa pyetur askënd dhe pa marrë në konsideratë as hierarkinë kushtetuese të shtetit, ka mbërritur pikërisht aty ku ishte nisur, në kulmin e vet, te vetëpagimi sipas qejfit. Madje jo vetëm sipas qejfit, por edhe me hesap prapaveprues. Vendos sot dhe merr paratë edhe për dje.

Në çdo shtet normal kjo do të quhej konflikt interesi. Në Republikën e Shqipërisë quhet “pavarësi e pushtetit gjyqësor”.

Ndërkohë pjesa tjetër e shtetit rri si guak. Ose, edhe më keq, kërcen vallen e krenarisë për reformën “e mrekullueshme” që na solli deri këtu. Në fakt, në hapësirën publike duket se vetëm Fatmir Xhafaj vazhdon ta mbajë me fanatizëm flamurin e krenarisë për këtë shpikje kushtetuese.

Por gjëma tashmë ka ndodhur.

Republika e gjyqtarëve nuk e njeh më veten si pjesë të Republikës së Shqipërisë. Është republikë më vete, me buxhet të Republikës së Shqipërisë. Vendimet i merr vetë, faturën ia dërgon shtetit.

Dhe mos u çudisni fare nëse nesër KLGJ vendos të krijojë Drejtorinë e vet të Tatimeve. Pse jo? Nëse mund të vendosë vetë pagat, pse të mos mbledhë edhe taksat? Mbase krijon edhe doganën e vet, me vulë dhe stemë republikane.

Të njëjtën logjikë përdori edhe Republika e SPAK-ut, që kërkoi policinë e vet për të arrestuar qytetarët. Pastaj kemi Republikën e GJKKO-së, një republikë brenda republikës së gjykatave, kir vendos rregulla që as gjykata e Apelit në korridorin ngjitur nuk i njeh…

Çdo institucion tashmë ka sovranitetin e vet. Ka srelën me flamurin e vet dhe me kompetenca që zgjaten deri aty ku mbaron shteti. Në disa raste i tejkalojnë edhe kufinjtë e shtetit, kur marrin përsipërntë luftojnë edhenkrimin në vendet e tjera…

Kemi arritur në një pikë groteske. Kemi krijuar jo thjesht ndarje pushtetesh, por copëtim të shtetit.

Baballarët e teorisë së ndarjes së pushteteve, Montesquieu e të tjerët, duhet të jenë habitur në botën tjetër me këtë “inovacion” shqiptar. Ata menduan ndarje për të balancuar pushtetin. Ne shpikëm ndarjen që shpërbën shtetin.

Askujt prej tyre nuk i kishte shkuar në mendje të projektonte një parlament të zgjedhur nga sovrani, i cili të mos mund të bëjë ligjet që gjykon të nevojshme, ndërsa institucionet që ai krijon të mos i kërkojnë llogari askujt.

Askujt prej tyre nuk i kishte shkuar në mendje që qeveria nuk duhet t’i japë llogari parlamentit, ndërsa drejtësia t’i mbyllë gojën parlamentarëve. Le pastaj shantazhet që mund tu bëhen deputetëve në ambasadat e shteteve të tjera, se ky është hesap tjetër.

Askujt prej tyre nuk i kishte shkuar në mendje që, në emër të pavarësisë, të përmbysësh vullnetin e të zgjedhurve të popullit.

Dhe mbi të gjitha, askujt nuk i kishte shkuar në mendje që, në emër të pavarësisë, një pushtet të vendosë vetë se sa do të paguhet, madje më shumë se Kryetari i Shtetit.

Inshallah nuk i shkon në mend Presidentit t’ia caktojë vetes rrogën, me arsyetimin, “Po kur e bëjnë shtetarët, pse jo edhe unë si kryetar i shtetit?”

Pastaj pse të ndalet aty?

Parlamenti ia vendos vetes rrogën.

Qeveria, që ka në dorë financat e shtetit, ia vendos vetes edhe më lart.

Ministri i Financave mund të vendosë të paguhet më shumë se Kryeministri.

Pse jo?

Me këtë logjikë, çdo institucion është republikë në vete dhe Republika e Shqipërisë mbetet vetëm bankomati ku të gjitha republikat e vogla shkojnë të tërheqin paratë.

Ky është rezultati i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, të cilat impojuan një organizim shtetëror ku pavarësia u shndërrua në paprekshmëri, ndërsa balanca u zhduk. Pushtetet nuk kontrollojnë më njëri-tjetrin, por thjesht jetojnë secili në territorin e vet sovran.

Kjo nuk është reformë. Kjo është deformim i shtetit.

Prandaj ka ardhur koha për një rishikim të plotë të organizimit kushtetues. Pushtetet duhet të jenë të ndara, por edhe të balancuara. Të pavarura, por jo sovrane mbi Republikën. Asnjë institucion nuk mund të jetë mbi shtetin që e krijon.

Për vite me radhë u tha: “Lum ne që bëmë këtë reformë dhe se tani do të shkojmë në Europë.”

Me këtë model nuk shkohet askund.

Jo në Europë.

As deri te kufijtë e autoritetit të Republikës së Shqipërisë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x