8.5 C
Tirana
06 / 02 / 2026

Rebelët sirianë në portat e Homsit, synojnë Damaskun – Assadi, thashetheme për arratisje

Marshimi i gjatë i koalicionit të rebelëve vazhdon me vendosmëri drejt kryeqytetit sirian Damask: ata tashmë kanë mbërritur në portat e Homsit, qyteti i fundit me rëndësi përpara kryeqytetit.

Dhe regjimi i Asadit po kërcet gjithnjë e më shumë, aq sa gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme u përfol se ai po ikte nga Siria së bashku me familjen e tij, me propagandën pro regjimit që përpiqej t’i shtonte ujë zjarrit duke vënë në qarkullim fjalë të tjera për një udhëtim të thjeshtë në Iran për konsultime.

Në një qytet jugor, Suwayda (kryesisht druze), ka nga ata që tashmë janë arratisur: shefi i policisë, shefi i burgut dhe drejtuesit lokalë të Baath, partia qeveritare, kanë braktisur zyrat e tyre.

“Ne synojmë të përmbysim regjimin”, tha lideri rebel al-Jolani në një intervistë të rrallë dhënë për CNN. “Ne synojmë të formojmë një qeveri të re bazuar në një këshill të zgjedhur nga populli. Është e drejta jonë të përdorim çdo mjet për të arritur këtë qëllim”.

Pas Alepos dhe Hamës, marrja e Homsit, nga ana tjetër, do të ishte një tjetër rezultat i rëndësishëm edhe nga pikëpamja simbolike: një qendër tregtare dhe shtëpi e rafinerisë më të madhe të naftës në vend, në vitin 2011 ishte qyteti i parë që u rebelua kundër Asadit.

Ushtria qeveritare rifitoi kontrollin vetëm dy vjet më vonë: përmes një rrethimi të përgjakshëm të qytetit të vjetër, i cili i bëri banorët të vdisnin nga uria.

Në atë moment, popullsia veçanërisht e përzier – një shumicë myslimane dhe sunite, një pakicë alavite (sekti shiit të cilit i përket edhe presidenti Bashar al-Assad) dhe prania e të krishterëve – shkaktuan dhunë të egër sektare.

Në atë kohë, bombardimi i ushtrisë qeveritare në Homs vrau gjithashtu dy gazetarë perëndimorë që kishin arritur të hynin në qytet: amerikanen Marie Colvin dhe fotografin francez Rémi Ochlik.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë e njohur tashmë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, lëvizja e rebelëve po përballet me pak kundërshtime.

Natyrisht, mbrëmjen e djeshme vonë forcat ajrore ruse bombarduan milicianët në marshim. Por ndërkohë humbën kontrollin e aeroportit të Hamës dhe kështu avionët u detyruan të ngriheshin nga baza Hmeimim në bregun jugor.

Dhe Moska tashmë po paralajmëron bashkatdhetarët e saj: “Largohuni nga vendi”.

Forcat qeveritare duket se janë tërhequr nga Homsi.

Lajme që ushtria i cilëson si “false”: por deri më tani ajo ka mohuar gjithmonë tërheqjet edhe nga qytetet e rënë ndërkohë.

Sigurisht, mijëra njerëz – veçanërisht ata me lidhje me alavitët – janë në arrati: janë drejtuar drejt bregut perëndimor, vëren al-Jazeera.

Shpërthime të reja të rezistencës kundër Asadit janë ndezur gjithashtu në Daraa dhe pikërisht në Suwayda: në pjesën më jugore të Sirisë.

Vende larg nga luftimet kryesore, por po aq vendimtare. Këtu, në fakt, grupet e armatosura kanë marrë nën kontroll pikën kufitare midis Sirisë dhe Jordanisë: aq sa Amani ka mbyllur pjesën e saj të kufirit.

Kjo rrethanë alarmoi Izraelin, i cili forcoi kufirin e tij me Sirinë duke dërguar forca ajrore dhe tokësore në lartësitë e Golanit: “Ne jemi të hapur për të gjithë skenarët”, u tha nga ata.

Luftime të tjera u zhvilluan gjithashtu në provincën verilindore të Deir Ezzorit nga ku trupat siriane dhe milicitë pro-iraniane u tërhoqën, duke lënë forcat kurde, të cilat tashmë kontrollonin zonën në lindje të Eufratit, të përparonin.

Në mbrëmje, Mazloum Abdi, komandanti i Forcave Demokratike Siriane (FDS) – kështu quhen kurdët – tha se ishte i hapur për një dialog me rebelët për të diskutuar “realitetin e ri” të Sirisë.

Kontaktet me HTS kanë filluar tashmë.

Po dje në Bagdad të Irakut, situata u diskutua në një takim mes ministrit të Jashtëm irakian dhe homologëve të tij iranianë dhe sirianë.

Sot në Doha do të mbahet një takim vendimtar midis ministrave të jashtëm të Turqisë, Rusisë dhe Iranit, në përpjekje për të rifilluar “Procesin e Astanës”, i cili po përpiqet të gjejë një zgjidhje politike paqësore për konfliktin sirian që nga viti 2016.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x