Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Mjekësisë kanë nënshkruar një marrëveshje për një partneritet strategjik me Qendrën Spitalore Universitare të ekselencës europiane “San Raffaele” dhe Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” në Itali.
Ky bashkëpunim ka për qëllim integrimin e praktikës dhe eksperiencës europiane në shërbimin shëndetësor shqiptar, duke e ngritur atë në një nivel më të lartë. Përfshirë përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve profesionale dhe akademike të stafit mjekësor shqiptar, ky partneritet do të sigurojë që QSUT dhe Universiteti i Mjekësisë të bëhen pjesë e ekselencës ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për shëndetësinë shqiptare, si dhe për QSUT dhe Universitetin e Mjekësisë. Ai e përshkroi këtë si një “moment historik”, duke shtuar se është hapur një faqe e re në zhvillimin e sistemit shëndetësor shqiptar.
Rama theksoi ambicien për të bërë Qendrën Spitalore Universitare një pikë referimi për të gjithë Ballkanin dhe një qendër ekselence në Europë.
“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, një moment historik për QSUT dhe për vetë Shqipërinë, se pse sot ne hapim një faqe të re në një rrugë që ka qenë e gjatë dhe jo e lehtë. Kishte një pikënisje dëshpëruese në një sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë ishte vlera e profesionalistëve e mjekëve dhe infermierëve që në kushte skandaloze luftonin për të shpëtuar jetë. Ambicia jonë është që këtë qendër spitalore ta bëjmë pikë referimi për të gjithë Ballkanin dhe ta kthejmë në një qendër ekselence mes qendrave të ekselencës në Europë”, tha Rama.
Gjithashtu, ai nënvizoi synimin që Universiteti i Mjekësisë të kthehet në një degë ekselence për studentët nga e gjithë Europa dhe rajoni, duke mundësuar që ata të marrin një diplomë të ngjashme me atë që ofrohet në Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” dhe të kthejnë Tiranën në një degë të këtij universiteti të njohur.
“Ne duam të transformojmë edhe Universitetin e Mjekësisë dhe synimi është që deri në 2030 Universiteti “Vita-Salute San Raffaele” të përfshihet drejtpërdrejtë në të gjitha proceset e organizmit dhe menaxhimin në Universitetin e Mjekësisë. Të vijën studentë nga e gjithë Europa dhe rajoni, ku në fund të marrin të njëjtën diplomë që merret edhe në Universitetin “Vita-Salute San Raffaele” dhe Tirana të kthehet në një degë të këtij universiteti”, tha Rama.