26.5 C
Tirana
01 / 06 / 2026

PSG “milioner” nga Champions! Francezët përfituan mbi 145 mln euro, Serie A jashtë “Top 10”

Edicioni i dytë i formatit të ri të Ligës së Kampionëve u mbyll me triumfin e Paris Saint-Germain, që fitoi trofeun pas finales dramatike në Budapest ndaj Arsenalit.

Pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesë, francezët u treguan më të saktë nga pika e bardhë, duke siguruar trofeun e dytë radhazi në kompeticionin më prestigjioz evropian për klube.

Përveç suksesit sportiv, PSG rezulton edhe klubi me të ardhurat më të larta nga Liga e Kampionëve për sezonin 2025/26.

Sipas përllogaritjeve të publikuara pas përfundimit të turneut, kampionët francezë arkëtuan mbi 145 milionë euro nga shpërblimet e UEFA-s.

Në vendin e dytë renditet Arsenali me rreth 142 milionë euro, ndërsa podiumi plotësohet nga Bayern Munich me më shumë se 127 milionë euro.

Mbi pragun e 100 milionë eurove u ngjitën gjithashtu Atletico Madrid, Barcelona, Liverpool dhe Real Madrid.

Formati i ri i Ligës së Kampionëve, i cili përfshin një grup të vetëm me 36 skuadra dhe të paktën tetë ndeshje për secilin klub në fazën e parë, ka rritur ndjeshëm të ardhurat e kompeticionit.

UEFA shpërndau këtë sezon rreth 2.5 miliardë euro, një shifër më e lartë krahasuar me ciklin e mëparshëm trevjeçar.

Çdo klub pjesëmarrës përfitoi fillimisht një bonus pjesëmarrjeje prej 18.62 milionë eurosh, ndërsa shpërblime shtesë u dhanë në bazë të rezultateve, renditjes në fazën e parë dhe progresit në fazat eliminatore.

Në llogaritje u përfshinë gjithashtu të ardhurat nga e ashtuquajtura “shtylla e vlerës”, e cila kombinon të drejtat televizive dhe koeficientin historik të klubeve.

Sa u përket skuadrave italiane që renditen poshtë 10 pozicioneve të para, Interi përfitoi rreth 71 milionë euro, Atalanta 70 milionë euro dhe Juventusi 64 milionë euro, ndërsa Napoli arkëtoi pak më shumë se 48 milionë euro.


FITIMET NE SEZONIN 2025/2026

PSG                                     145.5 milionë euro

Arsenali                               142 milionë euro

 Bayern Munich               127.5 milionë euro

Liverpool                           109.5 milionë euro

Atletico Madrid              107.5 milionë euro

    Real Madrid                    104.5 milionë euro

Barcelona                         101.5 milionë euro

Manchester City                  97 milionë euro

Chelsea                                         92 milionë euro

Tottenham                            84 milionë euro

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x