11.5 C
Tirana
14 / 10 / 2025

Pse ende vazhdojmë ta trajtojmë politikën si ideologji?

Nga Avni Selmani

Koha e ideologjive ka kaluar, sot nuk jemi më në botën e ndarë mes komunizmit dhe kapitalizmit. Jetojmë në një realitet tjetër, ku politika nuk matet me përkatësi, por me rezultate. Por ne, si shoqëri, vazhdojmë të sillemi sikur jemi ende në kohën e luftës së ftohtë, ende i qasemi politikës me emocione, me tifozëri, me përkatësi, jo me logjikë të pastër.

Dikur, ideologjitë kishin një mision: të ofronin zgjidhje për t’u çliruar nga sistemi njëpartiak. Sot nuk kanë më vlerë. Sot politika, partitë politike dhe liderët duhet parë thjesht si interes qytetar, jep votën, merr shërbimin, nëse nuk e përmbushin, i ndërron, nuk u je borxhli askujt, nëse nuk funksionojnë, nuk ke pse mbetesh i lidhur me ta. Politika nuk është fe, nuk është lidhje përjetësie, është mjet, funksionon, e përdor, nuk funksionon, e heq.

Dhe më keq akoma, ky sindrom i ideologjive të vjetra është ende i gjallë tek ne, vazhdojmë të lidhemi me liderë dhe parti sikur të ishin të shenjtë, sikur t’u detyrohemi për diçka, u nënshtrohemi me vetëdëshirë, si të ishin të pazëvendësueshëm. Këtu duhet kërkuar thelbi i problemit, sepse nëse ende nuk e kemi kuptuar se ata janë të punësuarit tanë dhe ne jemi punëdhënësit, atëherë nuk kemi arritur ende vetëdijen qytetare, dhe pa këtë vetëdije, çdo pushtet i keqpërdorur do të duket i natyrshëm.

Dhe ajo që është edhe më shqetësuese është se në këto rrethana është pothuajse e pamundur të jesh i pavarur, mjafton të merresh me një fenomen që nuk ecën si duhet dhe menjëherë të vendosin në një “krah”, nuk të shohin si qytetar që mendon vetë, por si pjesë e njëanshme e lojës politike, o je me dikë, o je kundër dikujt, nuk ka as mes, as mendim të lirë. Kjo logjikë bardh e zi është shkatërruese, e vërteta nuk ka më vlerë, rëndësi ka vetëm përkatësia.

Ky është fenomen që po na mban peng, një qytetar që s’mendon vetë por ndjek verbërisht partinë është i dëmshëm për shoqërinë dhe i rrezikshëm për demokracinë, ai nuk kërkon llogari, nuk ngre zë, nuk reagon, e justifikon çdo gjë, korrupsionin, dështimet, mashtrimet, vetëm pse “është i joni”. Dhe kur e bën këtë, nuk është më qytetar, por rob i bindur i pushtetit. Ky nënshtrim politik nuk është as kulturë, as besim, është humbje totale e dinjitetit qytetar. Me këtë mendësi nuk ndërtohet shtet, me këtë sjellje krijohen klane që sundojnë pa frikë dhe pa përgjegjësi, dhe kjo është arsyeja pse qëndrojmë në vend ndërsa të tjerët ecin para.

Është koha ta themi hapur, politika është interes qytetar, jo përkatësi e aq më pak ideologji, nëse nuk e kuptojmë këtë, do të mbetemi peng të atyre që nuk kanë asnjë interes për ne, ashtu siç jemi sot, peng pa institucione prej gati një viti, peng i një klase politike të papjekur dhe të papërgjegjshme që shikon vetëm interesat e veta. Vota nuk është dhuratë, është mjet presioni, është armë, dhe nëse nuk e përdor kur duhet, nuk ke të drejtë të ankohesh.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x