Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë sot në një konferencë për shtyp sot ku ka komentuar zhvillimin e protestës në kryeqytet.
Ish-kryeministri thotë se zgjidhja e vetme për situatën kaotike është largimi i kreut të qeverisë, Edi Rama. Berisha i është drejtuar me thirrje për t’iu bashkuar protestës mjekëve e infermierëve për të dëshmuar për nivelin e sistemit shëndetësor.
“U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët. Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor. Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.
Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij. Indiferenca është zgjedhja më e keqe. Ndaj bashkohuni me protestuesit. PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore. Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen. Është tërësisht i pashpresë.
Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen. Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët”, tha Berisha.
Berisha komentoi dhe deklaratën e fundit të kryeministrit Rama, i cili tha se nuk do të jepte dorëheqjen pavarësisht protestave. Kreu i PD tha se Rama ka humbur çdo betejë me qytetarët ndërsa i bëri me thirrje forcave policore që të mos dhunojnë studentët.
“Në një situatë të tillë, u garantoj se Edi Rama ka të humbur çdo betejë. Por Edi Rama ka trashëgiminë e nxirë të xhelatëve Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, daja i tij, që në vitin 1990, në 11 dhjetor në plenumin që u organizua për qëndrimin që do mbahej ndaj studentëve, bënte thirrje për futjen e tankeve, mitralozave dhe ushtrisë.
Ka këtë trashëgimi Edi Rama. Ndaj dhe të bëjë zgjidhjen më mirë. E pa mbrëmë se kush ishin luanët e sheshbetejës. E pa! Mos të përdorë policinë si mish për top. U bëj thirrje anëtarëve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përlyer me drogë dhe krim të japin dorëheqjen. Në të gjitha qytetet e mëdha të vendit janë protestat studentore. U bëj thirrje qytetarëve dhe bizneseve t’i mbështesin ato fuqishëm. I bëj thirrje policisë në ato qarqe, të mos guxojë të prekë studentët”, tha Berisha.