Ka përfunduar takimi në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në kuadër të dialogut mes dy vendeve, takim ku të pranishëm ishin edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisari për dialogun Miroslav Lajçak.
Fillimisht përfaqësuesit e BE-së takuan ndaras Kurtin e Vuçiçin, ndërsa takimi trepalësh ishte parashikuar të niste në orën 13:30, por ka nisur me rreth dy orë vonesë.
Në agjendë ishin diskutimet për zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pas takimit trepalësh Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, do të japë një deklaratë për media, por ende nuk ka informacion se kur do të mbahet konferenca.
Propozimi franko-gjerman nuk parashikon njohjen reciproke mes Prishtinës e Beogradit, por detyron palët të pranojnë dokumentet dhe simbolet shtetërore të njëra-tjetrës.
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar më parë gjatë ditës se është optimist në lidhje me atë që mund të arrihet nga takimi i sotëm, por ka shtuar se jo gjithçka varet prej tij.
Ndërkohë presidenti serb Vuçiç, ka qenë i qartë në deklaratat e tij ditën e djeshme se nuk do të nënshkruajë asnjë dokument në Ohër dhe se nuk ka marrë paraprakisht asnjë draft nga BE.
- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025