Bizhuteritë e vjedhura në një grabitje të guximshme ditën për diell në muzeun Louvre në Paris kanë një vlerë prej 88 milionë eurosh, ka bërë të ditur prokurorja franceze Laure Beccuau.
Në një intervistë mediat vendase, Beccuau e përshkroi shumën si “jashtëzakonisht të lartë”, por theksoi se humbja më e madhe është ajo që i është shkaktuar trashëgimisë historike të Francës.
Ndër objektet e vjedhura janë bizhuteri të kurorës, përfshirë një gjerdan me diamante dhe smeralde që perandori Napoleon ia kishte dhuruar gruas së tij, një bizhuteri e perandoreshës Eugenie, si dhe disa sende të mbretëreshës Marie-Amelie.
Grabitja ndodhi të dielën në mëngjes, pak minuta pas hapjes së muzeut. Katër hajdutë të maskuar përdorën një kamion me ngritës mekanik për të hyrë në Galerinë e Apollonit, përmes një ballkoni pranë lumit Seine. Ata përdorën mjete prerëse për të depërtuar nga një dritare dhe kërcënuan rojet për të evakuuar godinën. E gjithë grabitja zgjati më pak se tetë minuta.
Autoritetet nuk kanë identifikuar ende autorët, dhe ekspertët paralajmërojnë se bizhuteritë mund të jenë zhdukur tashmë, të shkrira ose të ndara në pjesë, për t’u shitur ilegalisht jashtë vendit.
Prokurorja Beccuau shpreson se publikimi i vlerës mund të ndikojë tek grabitësit që të mos i shkatërrojnë sendet.
“Nëse ata mendojnë t’i shkrijë, është ide e keqe, nuk do të përfitojnë aspak këtë shumë”, u shpreh ajo.
Presidenti Emmanuel Macron e ka quajtur grabitjen një sulm ndaj trashëgimisë franceze, ndërsa hetimet kanë zbuluar mangësi serioze në sistemet e sigurisë të muzeut më të vizituar në botë, përfshirë mungesën e kamerave në një të tretën e sallave dhe faktin që alarmi nuk është aktivizuar.
Ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin e pranoi dështimin e protokolleve dhe e cilësoi grabitjen si një “imazh të tmerrshëm për Francën”.
- Zinxhiri njerëzor 700 kilometra për liri i “Rrugës Baltike”, solidariteti paqësor që hyri në histori - 22/10/2025
- Putini s’ka më opsione - 22/10/2025
- Drejtësi më e (pa)drejtë çdo ditë - 22/10/2025