18.5 C
Tirana
15 / 04 / 2026

Po vajzat e Shqipërisë si po rriten?

Nga Ledio Alite

“Dikur notoja, tani thjesht bie poshtë. Dikur e dija, por tani nuk jam e sigurt për çfarë jam krijuar… Nuk di si të ndihem, por një ditë, mund të… Kur përfundoi? E gjithë kënaqësia… Unë jam përsëri e trishtuar, mos i trego të dashurit tim… Nuk është ajo për të cilën ai është krijuar…”.

Ky është teksti i kolonës zanore të filmit ‘Barbie’, kënga ‘Për çfarë jam krijuar?’ e artistes Billie Eillish, një nga këngëtaret më të dashura të vajzave sot. Këto vargje pasqyrojnë më së miri një temë madhore mes nënash sot në botë: vajza të reja që vuajnë nga ankthi apo trajtimet kundër ankthit. Këto vajza të reja duket se kanë gjithçka, dhe përsëri janë të pamundura të shijojnë plotësisht jetën me të bukurën dhe premtimet për veten.

Dëshpërimi i adoloshenteve dhe vajzave të reja të kohës së ‘Barbie’ po analizohet nga mendimtarët dhe intelektualët më në zë të botës sot: dëmtimi/hipnoza nga mediat sociale dhe sidomos TikTok që është i mbushur me dezinformacion dhe ‘bullshit’, algoritmet e postimeve të skëterrshme që ndezin lakminë apo zilinë, politikat e përçarjes dhe konfliktit, kostot e larta të jetesës në raport me pagat (që vë në dyshim dhe dëshirën për arsim), një kulturë konsumi dhe ‘asnjëherë e mjaftueshme’, burra dhe gra adult me probleme që pasqyrojnë gjatë gjithë kohës një atmosferë nervoze, një shoqëri e lidhur virtualisht por e shkëputur nga emocionet dhe tabani i vlerave, dhe më e rëndësishmja, një planet me njëqind probleme, indiferent ndaj këtij halli të madh. 

Ndoshta këtë goditje e ndjejnë më shumë vajzat, sepse ato janë më emocionale dhe më të përqëndruara në bisedë, në marrëdhënie, në intimitet dhe në edukimin e komunitetit femëror. Vajzat flasin pothuajse gjithçka me njëra-tjetrën, dhe ky komunikim intensiv tregon pikërisht intuitën unike dhe sensin e lartë të perceptimit të realitetit nga to. Unë mendoj se elita e një shoqërie duhet të shqetësohet dhe të marrë me kujdes në analizë shkaqet dhe problemet në psikologjinë e vajzave dhe grave. Nëse ka palumturi midis vajzave, diçka nuk shkon me këtë shoqëri. Ndoshta kjo është arsyeja pse klasa e intelektualëve të vërtetë të botës është hedhur në veprim.

Shoqëria shqiptare është nga shoqëritë më të rrezikuara për ta humbur ‘davanë’ shpejt në këtë sfidë, sepse vijmë nga një e kaluar e mbyllur pa eksperiencë në botën e emancipuar, i shohim problemet shpesh herë në këndvështrime ose të ngurta ose tejet liberale, pra logjika jonë bie shpesh pre e in extremis. Pavarësisht se vitet e fundit kemi ecur me ritme të mira në hapjen dhe normalizimin e disa koncepteve, duhet të bëjmë jashtëzakonisht kujdes të mos rrezikohemi nga shqyerja e parimeve, e tabanit të vlerave njerëzore (jo në kuptimin arkaik apo tradicional) që lidhin emocionet në reaksion zinxhir midis hallkave të shoqërisë. Dhe kjo kërkon një lokomotivë shoqërore të përgatitur nga e cila të kthehen sytë.

Mbi pyetjen që shtrohet, shpresoj shumë, që vajzat e Shqipërisë, bijat dhe motrat tona të rriten si vajza europiane duke patur në krah ndihmën e një shoqërie të tërë e cila përpiqet të krijojë kushtet që problemet globale të kalojnë tangent në jetët e tyre, dhe kjo kërkon urtësinë e klasës intelektuale e cila vetë duhet të ngrihet pa asnjë interes privat, pa lobime dhe ngritje fondesh, për probleme të qenësishme shoqërore duke imponuar veprime publike të vërteta. Mos harroni, se frikë më së shumti duhet të kemi ‘rrethimin e vogël’, atë krimbin në tru që na shemb trarët, edhe na ze brenda…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x