18.5 C
Tirana
15 / 04 / 2026

Dosja “Partizani”, GJKKO pranon kërkesën e Berishës dhe Malltezit për thirrjen e Ramës si dëshmitar

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar sot, më 15 prill, kërkesën e paraqitur nga mbrojtja e Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi për thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, në kuadër të çështjes së njohur si dosja “Partizani”.

Kërkesa për thirrjen e Ramës si dëshmitar ishte depozituar më herët nga avokatët mbrojtës, të cilët pretendojnë se dëshmia e tij mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave që lidhen me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Sipas mbrojtjes, Edi Rama, në kohën kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka pasur rol në hartimin e bazës ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit, nga terren sportiv në truall ndërtimi.

Ndërkohë, Gjykata ka vendosur gjithashtu të thërrasë si dëshmitar edhe Taulant Balla, i cili sipas dosjes ka qenë kallëzues për nisjen e hetimeve nga SPAK.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 30 prill, ku pritet që Taulant Balla të jetë dëshmitari i parë që do të japë deklarime para trupës gjykuese.

Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për veprën penale “korrupsion pasiv”. Sipas akuzës, ai dyshohet se ka lejuar një zinxhir institucionesh të shkelin ligjin lidhur me ndalimin e ndryshimit të destinacionit të terreneve sportive dhe privatizimin e tyre, duke favorizuar dhëndrin e tij.

Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë” dhe “pastrim parash”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x