15.5 C
Tirana
19 / 10 / 2025

Pezullimi i Dialogut me SHBA, kush e sheh si fitore, kush humb?

Nga Avni Selmani*

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën nuk është një lajm i zakonshëm. Ai është një paralajmërim serioz për partneritetin më të rëndësishëm që ka Kosova. Në vend të shqetësimit, një pjesë e klasës politike dhe disa media e kanë parë si fitore politike.

Ky qëndrim tregon se sa e ndarë dhe e përçarë është klasa jonë politike. Për interesa të ngushta, në vend që të ishin të shqetësuar për vendin, e marrin si përfitim politik kur dëmtohet imazhi i qeverisë, pa marrë parasysh se në fakt dëmtohet Kosova si shtet. Në vend që të shohin rrezikun e ftohjes së marrëdhënieve me aleatin kryesor, në vend që ta kuptojnë si rrezik për vendin, e shfrytëzojnë për përfitime të përkohshme politike.

Një sjellje e tillë është e rrezikshme, sepse vendos interesin partiak mbi atë kombëtar. Në vend që të hapet debat se si të ruhet besimi i SHBA-së dhe si të korrigjohen gabimet në politikën e brendshme e të jashtme, krijohet një atmosferë ku “çdo goditje ndaj qeverisë është e mirëpritur”, edhe kur ajo goditje prek themelet e shtetit.

Në këtë kuptim, mirëpritja e pezullimit nga një pjesë e klasës politike dhe disa media është pasqyra e një mentaliteti që nuk dallon kufirin mes lojës politike dhe përgjegjësisë shtetërore. Sot është pezulluar Dialogu Strategjik, nesër mund të ftohen edhe marrëdhëniet më të thella ekonomike e ushtarake. Atëherë, kush humb dhe kush do ta përshëndesë këtë?

Ky moment duhet parë si thirrje për reflektim. Patriotizmi i vërtetë nuk matet me gëzimin që sjell dështimi i tjetrit, por me aftësinë për ta mbrojtur vendin nga dështimet e mëdha. Sepse kur humbet besimi i aleatit kryesor, pasoja nuk i ndien vetëm politika, por i gjithë shteti.

(*Avni Selmani është një nga fotografët e njohur në hapësirën shqiptare dhe jashtë saj. Përveç fotografisë, ai shkruan ese dhe reflektime mbi jetën e përditëshme, fenomenet shoqërore dhe ato artistike, duke synuar të nxisë mendimin kritik, reflektimin dhe dialogun me lexuesit).

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x