Vendet perëndimore kanë vendosur kufizim për çmimin e naftës ruse. Vendimi është marrë nga G7 dhe BE.
Vendosja e kufizimit të ri për çmimin e naftës ruse do të godasë direkt Rusinë, thotë SHBA, dhe do të presë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të Putinit.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se vendosja e kufizimit u miratua të premten zyrtarisht nga aleatët perëndimorë pas shumë muajve punë.
Ky vendim do të hyjë në fuqi nga data 5 Dhjetor.
Sipas këtij vendimi, kufiri i vendosur ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 Dollarë për fuçi nga eksportet e naftës së papërpunuar ruse që nxirret nga deti.
Shtetet që janë prekur nga kriza energjetike dhe nga rritja e ndjeshme e çmimeve të ushqimeve, pritet që të përfitojnë nga ky vendim që cakton kufizim për naftën ruse.
Nisma për kufirin e çmimit të naftës ruse u vendos në Shtator nga vendet e G7 (SHBA, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali, Japoni).
Ndërsa Bashkimi Europian e miratoi kufirin e çmimit ditën e premte, pasi unioni arriti të bindte Poloninë për ta mbështetur.