Nga Luan Rama
Me sa duket, çfarë kam shkruar dje si reagim pasi dëgjova një deklaratë të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama se “ …nuk është partia ajo që ka qenë Partia Socialiste, dikur një bordello…” nuk ka mjaftuar që disa shokë socialistë ta besojnë se gjithë sa është thënë, është krejt e vërtetë.
Ndaj, jo më për ta, se nuk më shqetëson shumë fakti nëse ata besojnë apo jo, por, i ngacmuar nga biseda me një shok, me të cilin kam punuar për shumë vite në Partinë Socialiste dhe në qeverinë e saj, që më telefonoi shumë i shqetësuar sot që në mëngjes herët, e (në vend që të më pyeste, më e pakta që të dëgjonte variantin tim), më akuzoi se videoja me zërin dhe figurën e Edi Ramës ku ai thotë fjalë për fjalë se “ …nuk është partia ajo që ka qenë Partia Socialiste, dikur një bordello…” që unë përdora për të shoqëruar me një fakt konkret shkrimin tim, është e montuar, jam i detyruar t’i rikthehem edhe një herë faktit dhe komentit mbi gjithë sa ka thënë Kryetari i Partisë Socialiste.
Sa për faktin, edhe një herë po jua them se deklarata e Edi Ramës është e vërtetë. Unë nuk kam bërë asnjë montazh apo asnjë manipulim të asaj që ai ka thënë. As nuk e kam shkëputur nga konteksti. Kush është kurioz, le të shkojë në YouTube, dhe të mos shkruajë “Edi Rama nudo” siç rekomandoi do ditë më parë vetë ai në praninë edhe të shokut Pandi në një takim me të rinj në Spille të Kryevidhit, por të kërkojnë “72 orë para zgjedhjeve, Edi Rama në Top Story përballë gazetarëve për Shqipërinë në BE” dhe do të gjejnë të plotë emisionin e Grida Dumës. Deklarata e Kryetarit të Partisë Socialiste është pothuaj në fundin e emisionit prej tre orësh, saktësisht në orën 2 e 54 minuta dhe 57 sekonda, pikërisht në përgjigje pyetjes së bërë nga gazetari Robert Rakipllari.
Ndërsa komentin sot nuk e kam për Edi Ramën. Dua të shpreh keqardhje për gjendjen e mpirë jo vetëm intelektuale në të cilën gjendet shoku im socialist, dikur një polemist i zjarrtë dhe shumë elokuent në çdo veprimtari të forumeve të Partisë Socialiste.
Edi Rama është Kryetari i Partisë Socialiste. Është edhe kryeministri i vendit. Është në fushatë dhe nesër ai, qeveria dhe partia që drejton, do të gjykohen nga zgjedhësit. Është gjithashtu e drejta dhe përgjegjësia e tij të thotë çfarë të dojë. Brenda lirisë së vet për t’u shprehur, mund të thotë çfarë të dojë edhe për Partinë Socialiste. Do pa i thotë edhe bordello, njësoj siç tha në Dibër se gjysma e burrave janë çyrykë apo siç ju tha grave në Durrës se nëse do të provonin të merrnin tragetin e të shkonin për një muaj në Itali, pasi të ktheheshin, do t’i gjenin burrat me bisht. Pra, ai, ai është.
Problemin unë e kam me shokun tim socialist. Sepse ai dhe ca të tjerë kanë zgjedhur të heshtin. Kanë zgjedhur të mbyllin gojën e mbase të “reagojnë” në heshtje, duke medituar apo duke ëndërruar. Pranojnë përulësisht poshtërimin, fyerjen, përbaltjen, përdhunimin.
Unë plot 18 vjet të jetës time kam punuar në Partinë Socialiste dhe e kam përfaqësuar atë parti me shumë dinjitet dhe integritet në gazetën e saj si gazetar e deri kryeredaktor, në Kuvend si deputet dhe në qeveri si ministër socialist. Në asnjë ditë të asaj periudhe, Partia Socialiste nuk ka qenë ndonjëherë bordello. As para dhe as pas “KPD-së së famshme”. As kur Fatos Nano inicoi nga burgu ku e kishte mbyllur Berisha edhe me ndihmën e ndonjë shoku socialist “mocionin” e famshëm për ndryshim, apo më vonë me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe etj.
Unë kam qenë socialist që prej ditës së parë në themelimin e Partisë Socialiste si delegati më i ri në kongresin themelues e vazhdoj të jem po aq socialist edhe sot. Nëse u bëra socialist, zgjedhja ime u përcaktua edhe prej modeleve intelektuale dhe qytetare me të cilët u gjenda në një front e në një parti.
Partia Socialiste qe me fat se asaj iu përkushtuan që prej ditës së parë Dritëro Agolli dhe Fatos Nano, Spiro Dede dhe Servet Pëllumbi, Ismail Lleshi dhe Namik Dokle, Gramoz Ruçi dhe Luan Hajdaraga, Arta Dade dhe Ermelinda Meksi, Xhevat Lloshi dhe Moikom Zeqo, Fatmir Kumbaro, Sabit Brokaj, Bashkim Zeneli, Shaqir Vukaj dhe Fatri Sinani, Et’hem Ruka, Anasas Angjeli dhe Maqo Lakrori, Ylli Bufi, Fehmi Abdiu, Musa Ulqini, Halil Lalaj, Limos Dizdari, Spartak Poçi, Petro Koçi, Spartak Braho, Bardhyl Agasi (ndjesë për ndonjë emër të harruar pa dashje!), me të cilët u bashkuan më pas plot të tjerë si Profesor Rexhep Meidani, Makbule Çeço, Valentina Leskaj, Bashkim Fino, Arben Malaj që u bënë kryeministra, ministra, kryetarë bashkish apo përfaqësues në nivele të ndryshme të qeverisjes.
Vetëm pak muaj pasi qe themeluar Partia Socialiste iu bashkuan asaj edhe të rinjtë me Pandin, Monikën, IIlir Zelën, Lavdrim Krashin, Haki Morinën, Ndre Legisin e qindra të tjerë pas tyre, (edhe Ilir Meta e Erion Braçe bashkë me ta) dhe themeluan Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar (FRESSH), duke e shndërruar Partinë Socialiste në forcën e madhe emancipuese dhe zhvilluese të shoqërisë shqiptare.
Nuk dua të bëj historinë e Partisë Socialiste, sepse nuk ia lejon vetes atë të drejtë, por nëse reagoj me indinjatë për krahasimin e saj me një bordello, këtë e bëj edhe sepse dua që të gjithë ata që e ndjejnë veten socialistë në partinë e sotme, të jenë krenar për gjithë sa ajo ka bërë për këtë popull dhe për këtë vend. Historia e saj e mirë apo historia e saj e sukseseve, nuk nis me kohën kur Edi Rama u zgjodh kryetar i partisë e as pasi ai u bë kryeministër.
Një parti “bordello”, nuk do t’u dilte dot zot fateve të vendit në momentet më të vështira kur qe vënë në diskutim vetë ekzistenca e shtetit.
Një parti “bordello” nuk do të qeveriste dot vendin në ringritjen nga e para të shtetit të shkatërruar e nuk do t’i bëhej krah luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Një parti “bordello”, nuk do të ridimensiononte dot demokracinë brenda saj për t’u bërë modeli i emancipimit të të gjithë shoqërisë shqiptare nën moton e gjithëpërfshirjes, duke e shndërruar debatin në një institucion real dhe gjenerues idesh e projektesh, ku gjeti hapsirë të përfshihej, të konkuronte dhe të fitonte edhe vetë Kryetari i sotëm.
Një parti “bordello” nuk do të votohej nga shqiptarët që të ishte parti qeverisëse në vitin 1997 apo në vitin 2001 e as të rivinte në pushtet në vitin 2013.
Por, për të qenë i sinqertë, nuk di t’i kuptoj shokët socialistë që heshtin e nuk bëzajnë. Nuk i kuptoj dot sepse e di që edhe ata si unë, e madje edhe shumë më tepër se unë, kanë punuar në Partinë Socialiste dhe jo në atë për të cilën kryetari i sotëm thotë se ka qenë si një bordello.
Natyrisht, nuk janë të detyruar aspak të mos heshtin. As të reagojnë nuk janë të detyruar. Sepse në fund të fundit e gjitha është çështje ndjeshmërie. Edhe çështje dinjiteti, çështje qytetarie. Dhe kur është fjala për ndjeshmërinë, për dinjitetin, për respektin ndaj vetes, dhe për respektin ndaj asaj që kemi bërë bashkërisht, zgjedhjet janë krejt personale. Personale është edhe mënyra e reagimit.
Pastaj është edhe çështje interesash; dikush ka hallin e djalit, një tjetër të vajzës, një vend pune, një projekt, një aplikim, një tender. Të gjitha personale janë.
Por, prapëseprapë, unë nuk arrij t’i kuptoj dot shokët socialistë që heshtin, që nuk bëzajnë. Edhe pse e di që ata nuk kanë punuar ndonjëherë në ndonjë “bordello”!…
Për “merakun” e tyre dhe që të mos më thonë prapë se unë e kam shkëputur deklaratën e Edi Ramës nga konteksti ( nuk e di që fjala bordello ta ketë të kushtëzuar kuptimin nga konteksti, por gjithësesi kjo është një çështje tjetër), po e risjell më të plotë sot nga fragmenti që kam publikuar dje, se mbase varianti i sotëm i bën të ndjehen më mirë!