Në një telegram ngushëllimi për vrasjen e kandidatit presidencial Villavicencio, Papa shpreh dhimbjen e tij e u kërkon forcave politike dhe qytetarëve të vendit të Amerikës Latine të bashkohen, për të siguruar paqen.
R. SH. – Vatikan
Forcat politike dhe qytetarët e Ekuadorit “të bashkohen në përpjekjen për paqe”. Kjo, thirrja e Papës në telegramin, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar Imzot Alfredo José Espinoza Mateus, kryeipeshkëv i Kuitos, në të cilin Françesku shpreh trishtimin e tij për vrasjen e kandidatit presidencial të vendit, Fernando Villavicencio. Njëkohësisht, dënon “dhunën e pajustifikueshme”, që shkakton vetëm vuajtje.
Një përpjekje e përbashkët për paqen
Më pas Papa i shpreh ngushëllimet e tij ipeshkvit, familjes së të ndjerit “dhe gjithë popullit të dashur të Ekuadorit”, duke i ftuar “qytetarët dhe forcat politike të përpiqen bashkërisht për paqen”. Françesku ia beson pushimin në paqe të Villavicencio-s “ndërmjetësimit amtar të Zojës së El Quinche” dhe jep bekimin e tij “si shenjë feje e shprese në Krishtin e Ngjallur”.
Vrasja e Villavicencio
Fernando Villavicencio, gazetar dhe kandidat centrist për president i Ekuadorit, u vra më 9 gusht në kryeqytetin Quito, në fund të një mitingu zgjedhor. Burri, që i kundërvihej pushtetit të bandave dhe karteleve, u qëllua disa herë me armë zjarri. Mendohet se dora kriminale që kreu vrasjen, lidhet me Organizatën kriminale Los Lobos. Edhe Presidenti Guillermo Lasso theksoi se pas vrasjes e cila ndodhi më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale, qëndron “krimi i organizuar”.
“Ju siguroj se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Grupet kriminale kanë shkuar shumë larg, por do ta ndiejnë të gjithë barrën e ligjit”, theksoi Lasso.
Gjatë aksioneve të kryera nga policia në Quito janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për lidhje me ngjarjen.
- “Më mbështesni ose jap dorëheqjen”- Pas rezultateve të dobëta që tronditën CDU-në, kancelari Merz ultimatum drejtuesve të partisë! - 15/09/2026
- “Puna e SPAK, efektive”- Mesazhe të forta nga zyrtari i DASH, Lawton: Po punojmë me Shqipërinë për të goditur organizatat kriminale transnacionale - 15/09/2026
- Rama publikon fotot nga ceremonia e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Napoli, zbulon dhuratën e veçantë që mori - 15/09/2026